Skënderbeu në objektivin e një historiani kosovar nga Ostrovica e Novobërdës! –
Skënderbeu në objektivin e një historiani kosovar nga Ostrovica e Novobërdës! –
Nga: Jahja Drancolli
Kostadin Mihali i Ostrovicës (rreth 1435-1501), historian e ushtarak është dëshmitar i rëndësishëm i dramës së pushtimeve osmane sidomos në Novobërdë dhe rrethinën e saj. Kostadini me memoarin e tij ka krijuar një vepër humaniste unikale të këtij zhanri. Sipas burimeve që zotërojmë Kostadini ka lindur në Ostrovicë të Novobërdës rreth vitit 1435 në një familje minatorësh ose tregtarësh, andaj edhe shkollimin fillor do ta ketë mbaruar në vendlindje, Novobërdë. Ka marrë pjesë me një njësit të vogël vazalësh në rrethimin e Kostandinopojës në vitin 1453, ndërsa më pas e ndeshim në mesin e mbrojtësve të qytetit të Novobërdës, kur qyteti bie në duar të osmanëve (më 1 qershor 1455).
Atëherë, në mesin e robërve ishte dhe Kostadin Mihali, i cili qe dërguar për jeniçer, dhe mori pjesë në shumë ekspedita të sulltan Mehmetit II: në Arbëri, Hungari, Peloponez. Në Bosnjë, më 1463, ka komanduar me repartin e qytetit Zveçaj, ku dhe kapet si rob nga ushtria e mbretit hungarez Matej Korvin. Pas lirimit nga hungarezët, vihet në shërbim të planeve për krijimin e aleancës politike dhe nisjen e fushatës kundër osmanëve. Kostandin Mihalit do t’i humbin për një kohë gjurmët, por dihet se kishte ikur nga osmanët për tu kthyer në mesin e të krishterëve, ku dhe vdiq në Poloni pas vitit 1501. Mes viteve 1497 – 1501, shkruan Kujtimet e tij si memorandum politiko-historik, dedikuar mbretit polonez Jan Olbraht dhe mbretit hungarez Vladisav II. Dorëshkrimi i vepërës më të njohur të tij nuk është ruajtur në origjinal për këtë arsye ende ka mbetur e pandriçuar çështja se në cilën gjuhë është shkruar origjinali. Në bibliotekën Zamojski të Varshavës është ruajtur një kopje (transkript) në gjuhën polake nga shek. XVI. Dorëshkrimi zotëron 77 faqe. Janë ruajtur dhe kopje të tjera, si, ajo e Bibliotekës Kombëtare të Varshavës, të Peterburgut, Pragës, e ndonjë tjetër. Kopja e Pragës është botuar në gjuhën çeke në vitin 1565 dhe ruan këtë titull: “Hystorya neb Kronyka Turecká od Michaala Konstantina z Ostrowicze” (“Historia ose kronika turke nga Mihal Kostadini i Ostrovicës”). Aty ndeshim njoftime për inkursionet osmane në Hungari, Peloponez, dhe në këtë kontekst dhe për fushatat osmane në Arbëri, ku është spikatur roli i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut përballë ushtrisë së sulltan Mehmetit II. Vend të rëndësishëm në historinë e përmendur zë rrethimi i Novobërdës në vitin 1455, si dhe pushtimi saj pas bombardimeve të fuqishme!