Socialistët dhe grupi i Bashës të vendosur për ligjin e spiunëve dhe “non gratave”, të premten Konferenca e Kryetarëve hap rrugën për miratim. – Ja kategoritë që preken
31 GUSHT 2022
Partia Socialiste duket e vendosur për t’i çuar Parlamentit amendimet e disa ligjeve, që synojnë ndalimin dhe ndërprerjen e mandatit atyre zyrtarëve nëse u faktohet se kanë dosje bashkëpunimi me ish sigurimin e shtetit. Gazeta “SOT” ka mësuar se paraditen e të premtes ora 11:00 kryetarja Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve. Në axhendën dërguar pjesëmarrësve në konferencën e kryetarëve, është përcaktuar për diskutim amendimi ligjit për dekriminalizimin, ai për partitë politike si dhe dy projektligje propozuar nga Autoritetet i Dosjeve. Ndërkohë sipas informacioneve, të premten do të diskutohen për të kaluar fillimisht për diskutim në komisionet parlamentare edhe projekt ligji i depozituar nga fraksioni Alibeaj në Partinë Demokratike që synon dekomunistizimit. Pra do të jetë Konferenca e Kryetarëve që do të vendosë për kalimin ose jo në komisionet parlamentare të këtyre mendimeve, duke shtura ankthin dhe panikun tek personat që preken nga ndryshimet në ligj dhe që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ja kush rrezikon
Debati 30 vjeçar për dosjet e ish-Sigurimit u riaktivizua, javët e fundit të Korrikut, pasi Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dërgoi një shkresë Kuvendit, ku thuhej se një politikan i rëndësishëm me inicialet I.M. ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit.
Aludimet dhe debatet u përqendruan tek ish presidenti Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish-Sigurimin. Zoti Meta përballë këtyre akuzave u mbrojt duke thënë se shumica socialiste ka falsifikuar dosjen dhe do të bënte kallëzim penal për autoritetin e dosjeve. Ndryshimet me të rëndësishme në tentativën për të pastruar politikën shqiptare nga spiunët, janë në ligjin e dekriminalizimit. Në një prej neneve të ligjit ekzistues shtohet një paragraf ku parashikohet se “bashkëpunëtorëve ose të favorizuarve të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi”. Kujt i faktohet bashkëpunimi i ndërpritet mandati.
Ndërsa ndryshimi ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në sigurimin e shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie. Nëse ky ndryshim realizohet atëherë Sali Berisha ish-Sekretar i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë në QSUT, i hiqet e drejta për të qenë deputet dhe pjesë e politikës. Nga ana tjetër, gazeta ka mësuar se përveç Metës dhe Berishës, të rrezikuar për t’u prekur nga ligji i Dosjeve dhe Dekriminalizimit janë edhe ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetë, prokurorë, gjyqtarë, kryetar bashkish, drejtorë në administratë dhe policie, të cilët në rast se rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, do të përjashtohen nga sistemi dhe vendimmarrja.
Balla jep detaje
Megjithatë më shumë detaje rreth nismave të PS, ka dhënë pak ditë më parë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale rrjetet sociale, mes të tjerash deklaron se Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar që vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij. “Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar certifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit. Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij. Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as non gratës as bashkëpunëtorëve, por ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të keqen të vazhdojë të bëjë moral me shpresën se do të hajë kokën e vet, madje absurdi të shkojë deri aty sa këta lloj të bërtasin për drejtësi, kur janë vetë ata që kanë hesapet më të mëdha me drejtësinë dhe Shqipërinë”, shkroi Balla. Pra, ky reagim i fortë nga Partia Socialiste vjen, pasi ish-presidenti Ilir Meta rezultoi si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha përveçse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpall “non grata” edhe nga Britania e Madhe.
NGA Rigles Seliman
Gazeta Sot