Sotir Kolea, si e frenoi vjedhjen e librave në Bibliotekën Kombëtare

Vulosja e librave më 1930/ Ja dokumentet ku drejtori i Bibliotekës propozon vulosjen e librave dhe llojet e vulave që do të viheshin në përdorim…

Nga:  Frederik Stamati.

Dikur, njëlloj si edhe sot, Bibliotekën Kombëtare e kishte gjetur belaja me vjedhjen e herëpashershme të librave të saj. Drejtori i atëhershëm i Bibliotekës, Sotir Kolea,  për të mos e sterrosur fare, e duke u shprehur me politesë, nuk e përmendëte në shkresat zyrtare fjalën vjedhje, por e quante si: “zhdukje pa asnjë farë përgjegjësie… të librave”. Sidoqoftë, në atë kohë vjedhja e librave kishte ca fisnikëri në gjestin e saj, sepse pasuronte një bibliotekë tjetër, vetiake, kurse sot, kur lexohet pak, e kur internet e ka mundur librin, ka tjetër qëllim dhe thonë se  përgjithësisht bëhet nga ustallarët e plagjiaturave, të cilët veprojnë në dy mënura: Duke vjedhur librat, që të tjerët të mos i gjejnë dot “rrënjët e studimeve”, ose duke zhdukur skedat, që të tjerët,  “bezdisësat” e plagjiatorëve, të mos i shkojnë kërkimit të mashtrimit deri në fund. Gjithsesi ata nuk e dinë se skedat janë të dyzuara dhe ruhen edhe në arkivat e Bibliotekës. Po si t’u a bësh librave, sidomos kur ata janë vetëm në një kopje!

Si e vrau mëndjen, Sotir Kolea vendosi që për të ndaluar këtë fenomen të shëmtuar, të vuloste librat me vulat e posaçme të Bibliotekës Kombëtare. Këto vula do të ishin stampat që do të diskretitonin vjedhësin, duke besuar se kjo do të shërbente për një “hajdut të ndershëm”, që vlerësonte fisnikërinë e librit. Sotir Kolea qe  vetë fisnik i dijes, ai e çmonte librin dhe ndoshta  mendonte se grisja e faqeve të librit ishte një veprim i llahtarshëm, që nuk mund të bëhej.

Dhe i paraqiti për miratim Ministrisë së Arsimit dy modele vulash, njëra e madhe dhe e rrumbullakët, në të cilën shkruhet BIBLËJOTEKA KOMBËTARE – TIRANË, e që në shkresën përcjellëse shënohet me shkronjën A dhe tjetra, më e vogël, ovale për nga forma, në të cilën shkruhet po BIBLËJOTEKA KOMBËTARE * TIRANË dhe që shënohet në shkresë me  shkronjën B.

Sotir Kolea

Vula A, pra ajo e madhja, do të përdorej për vulosjen e librave,  të revistave, të gazetave dhe të hartave. Te librat do të vihej në kapakun e sipërm, jashtë e brenda, si dhe në kapakun e fundit. E njëjta gjë do të bëhej edhe për revistat. Përsa u përket hartave, vula do të vendosej në shpinë të tyre, ndërsa në rastin e gazetave, përbri titullit.

Me vulën B do të vuloseshin faqet e përcaktuara sipas rregullit, që iu paraqit ministrisë në shkresën dërguar asaj.

Dhe më poshtë po paraqesim shkresën zyrtare, e cila ruhet në:

ASH, Fondi 195, Viti 1930, Dosja 122, faqe 125 – 126.

Shkresën do ta paraqesim me gjuhën e atëhershme jo vetëm për të qenë sa më pranë atmosferës së asaj kohe, por edhe si një kuriozitet të evoluimit të gjuhësor.

Gazeta Shqiptarja.com