Nexhmedin Spahiu: – Shqiptarët e RMV-së gabuan rëndë me Presidencialet. – Tashmë rrezikohen interesat e Shqipërisë dhe Kosovës
28 Prill 2024
Nga Anila Zyberaj
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe rezultati i opozitës maqedonase për profesorin e Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, është një sirenë alarmi për faktorin shqiptar jo vetëm në RMV por dhe në Ballkan.
I ftuar në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” Spahiu theksoi se fituesi i vërtetë në këtë mes është Aleksandër Vuçiç.
“Gjëja më e pamend që kanë bërë shqiptarët është fakti se kandiduan në garën për President duke e ditur paraprakisht se nuk ka asnjë mundësi që një shqiptar të zgjidhet President i Maqedonisë në rrethanat aktuale.
Por është dashur që të përkrahin të dy krahët për Presidentin. Aq më tepër duke e ditur investimin e Serbisë në partinë opozitare të VRMO-së, që tashmë po shihet se ka mbi 40 % të votave, por edhe duke i shkëputur vta partisë në pushtet LSDMS-së, kandidati i cili fitoi vetëm 10 % të votave.
Duke i parë tendencat e Serbisë në shtetin maqedon ishte e pakuptimtë që shqiptarët të cilët e kanë vuajtur atë sundim në kohën kur Maqedonia ka qenë nën kontrollin e Serbisë që të hapin rrugë që të fitojë jo vetëm qeverinë, por edhe Presidencën ta fitojë krahu pro serb në Maqedoninë e Veriut.
Ndaj kjo lëvizje e shqiptarëve ishte e pamend dhe duke mos fituar asgjë. Tashmë rezultati i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut jo vetëm rrezikon interesat e shqiptarëve atje, por rrezikon interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh në analizën e tij profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu.