8 Tetor 2022

Gazeta “SOT”, ka mësuar se në javën e ardhshme SPAK pritet që të lëshojë urdhër-arreste, duke çuar në pranga disa zyrtarë dhe politikanë të lartë që kanë lidhje me aferën e inceneratorëve.

Madje, një lajm i kësaj natyre është pohuar edhe nga gazetarja Glidona Daci gjatë një studio televizive, e cila bën me dije informacione të marra nga burime jo zyrtare për çështjen e inceneratorëve, se javën e ardhshme priten arrestime të reja, por nuk dihet ende se për cilin prej inceneratorëve do të firmosen urdhër arrestet nga ana e Prokurorisë së Posaçme. “Të paktën sipas informacioneve që ne kemi mundur të sigurojmë në rrugë jo zyrtare, Prokuroria e Posaçme është drejt mbylljes së një faze tjetër operacioni dhe arrestimesh për një grup personash të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në koncesionin e inceneratorëve. Pritet që të paktën gjatë javës që vjen të ketë zhvillime për sa i përket kësaj çështjeje, duke qenë se në vetvete është e ndarë në tre çështje të ndryshme, është inceneratori i Elbasanit, i Fierit dhe po ashtu vazhdojnë hetimet edhe për inceneratorin e Tiranës.

Nuk dihet ende se për cilin nga inceneratorët do të firmosen urdhër arreste nga ana e Prokurorisë së Posaçme, por të paktën në rrugë jo zyrtare na është bërë me dije se priten që javën e ardhshme të kemi arrestime të reja për sa i përket inceneratorëve”, deklaroi ajo.

SPAK, në 1 muaj 14 kallëzime dhe 22 procedime

Por nga ana tjetër, edhe Prokuroria Speciale ka bërë me dije se ka çuar në pranga disa persona që janë përfshirë në afera kriminale dhe korruptive. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zbuloi dje në gjatë muajit shtator ka bërë plot 14 kallëzime dhe 22 procedime penale për persona të ndryshe, të cilët janë përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion.

“Janë paraqitur 14 kallëzime penale, nga të cilat, është vendosur mosfillim i hetimeve për një kallëzim. Janë regjistruar 22 procedime penale, nga të cilët 11 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 11 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë dërguar për gjykim 2 procedime penale me 2 persona të pandehur, nga të cilat, një procedim me një të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe një procedim me një të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë ekzekutuar 4 vendime penale ku kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë. Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për 7 të dënuar”, thuhet në njoftim.

Ekstradime dhe hetime të përbashkëta me ndërkombëtarët

Më tej në njoftimin e saj, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit jep detaje edhe sa i takon punës së saj që kanë të bëjnë me ekstradimin e personave në kërkim dhe ngritjen e një strukture të përbashkët hetimore me ndërkombëtarët. “Janë nxjerrë vendime nga prokurorët për 5 të dënuar për përfundimin e dënimit alternativ. Janë vënë në ekzekutim 6 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe janë dërguar 10 letërporosi për ekzekutim pranë autoriteteve të huaja. Është dërguar pranë autoriteteve të huaja një kërkesë për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore.

Është dërguar dokumentacioni pranë Ministrisë së Drejtësisë me qëllim ekstradimin e një shtetasi shqiptar nga jashtë vendit në Shqipëri. Është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar e një shtetasi shqiptar. Janë mbajtur 6 takime koordinuese me autoritetet e huaja sa u përket skuadrave të përbashkëta hetimore në kuadër të procedimeve penale në hetim, palë në këto marrëveshje nga të cilat, 3 takime janë zhvilluar jashtë vendit dhe 3 takime janë zhvilluar në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga RIGELS SELIMAN