16 Shkurt 2025

Struktura e Posaçme Antikorrupsion,( SPAK) pritet të shkaktojë “tërmet” në politikën shqiptare. Pas kryebashkiakut Erion Veliaj, pritet të nisen fletë-arrestet kundër disa figurave të njohura publike dhe politike. Në qendër të hetimeve janë Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe Zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Ceno Klosi. Por lista nuk mbaron këtu: dy persona të tjerë nga mazhoranca dhe tre figura të lidhura ngushtë me ish-kryeministrin Sali Berisha janë gjithashtu në radhë për t’u arrestuar. Emrat e tyre nuk do t’i zbulojmë për momentin për shkak të hetimeve. Sipas burimeve, SPAK ka grumbulluar prova të forta kundër Maznikut dhe Klosit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët janë hetuar për një periudhë të gjatë kohe. Mësohet se atyre ju janë gjetur probleme me pasuritë, si edhe janë të përfshirë në afera me tendera.

Hetimet ndaj Maznikut

Gazeta ka mësuar se Arbjan Mazniku është thirrur kohët e fundit disa herë nga SPAK. Informacioni se Mazniku mund të arrestohet në vijim është paralajmëruar dhe në emisionin Opinon ku gazetari Elvi Fundo tha se prej shumë kohësh, Erion Veliaj nuk firmoste vetë, por firmoste një ministër i Ramës, Arbjan Mazniku, i cili është nën hetim. Sipas tij, SPAK ka sekuestruar shumë dosje dhe po heton dhe për firmat e Maznikut. Ai tha se pas Veliajt, radhën atje mund ta ketë Mazniku, pasi SPAK ka thelluar hetimet. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime lidhur me dosjen e njohur si “5D”.

Në lidhje me këtë çështje, Arbjan Mazniku është thirrur në SPAK për të dhënë shpjegime si person në dijeni për procedurat e tenderimit dhe për të sqaruar rolin e tij në lidhje me këto aktivitete. Një investigim i mëparshëm i BIRN ngrinte hije dyshimi mbi Maznikun për një konflikt të mundshëm të interesi në lidhje me aktivitete të bashkisë të kryera në një restorant në Tiranë në pronësinë e tij familjare si dhe lidhjet me një tender të kompanisë publike, Tirana DC në kohën që drejtohej nga Redi Molla. Por jo vetëm kaq, SPAK ka të tjera materiale që pritet të tronditin pozitat e tij. Arrestimi i Veliajt mesa duket ka hapur “Kutinë e Pandorës”.

Hetimet ndaj Ceno Klosit

Po ashtu arrestimin e Ceno Klosit e ka paralajmëruar dje dhe gazetari Almer Toska. “Ceno Klosi është kapur në skandal duke i kaluar paratë nga Anglia vëllait të vet. Klosi do të shkojë në burg. Do arrestohet”, tha ai i ftuar në Neës 24. Kujtojmë se vitin e kaluar SPAK nisi hetimet në kohën kur Klosi ishte në pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi. Ai po hetohet për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave”. Prokuroria e Posaçme konfirmoi përmes një shkrese zyrtare për “News 24” se hetimet ndaj kryetatimorit Klosi u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.

“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria. Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi. “Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimi e dy procedimeve në një të vetëm.

Nga: Gazeta Sot