“SPAK, jashtë kontrollit”, gazetari: “Rama do detyrohet ta ndryshojë sërish qeverinë”
5 Shtator 2023
Analisti Lorenc Vangjeli thotë se Rama do bëjë ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar.
Sipas Vangjelit, “dëshira” e Ramës do të ishte t’i kishte çuar vetë në SPAK, por meqënëse nuk mund të kontrollojë politikisht procesin, nuk i mbetet tjetër veçse të riformatojë sërish qeverinë.
Pjesë nga biseda në TV.
Vangjeli: Rama nuk mund të mbronte dot gjë edhe sikur të kërkonte ta bënte diçka të tillë.
Moderator: Nuk e bën dot apo nuk do?
Vangjeli: Nuk mundet ta bëjë. Ajo krijesë e cila u ngjizë dhe lindi si iniciativë e dy bashkëdrejtuesve të të majtës fituese në zgjedhjet e 2013-ës, tani i ka kapërcyer të gjithë ata. Dhe ky realitet i ri është pjesë e ekuacionit që ndryshon të tërën. Ajo që unë prisja të ndodhte sot është që kryeministri si aksiomë nuk do të pranonte që asnjë nga ministrat e tij të shkonte tek SPAK-u. Në dëshirën e tij ai do të dëshironte ti conte vetë për veshi atje, por duke mos mundur të kontrollojë procesin së paku i duhej t’iu hiqte kostumin e ministrit kur të kapërcenin atë gardhin e nëmur që është përtej rrezes së pushtetit.
Moderator: Pra i heq si ministra që të shkojnë tek gardhi i SPAK-ut.
Vangjeli: Pikërisht pra. Që kur të shkojnë atje, të mos kenë kostumin e ministrit. Të mos kenë firmën e tij tek dekreti i Presidentit.
E parë me këtë sy më rezulton se në një mënyrë apo një tjetër Rama do të jetë i detyruar të bëjë edhe ndryshime të tjera në qeveri. Se kur nuk e di, por besoj se është një rrjedhë që nuk do të mungojë të ndodhë.
Gazeta Dita