SPAK: Karekteristikë grupeve, dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve. – Ja roli i katër zyrtarëve të Policisë së Shtetit.
18 Maji 2024
Prokuroria e Posaçme ka dalë me njoftim zyrtar për goditjen e shtatë grupeve kriminale, në një megaoperacion i cili zgjati për 20 orë dhe janë ekzekutuar 20 nga 50 urdhër arrestet e lëshuara.
Po ashtu SPAK njofton se gjatë kontrolleve, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar pasuri me vlerë rreth 3 milion euro.
SPAK thekson se karakteristikë e këtyre grupeve kriminale është dhuna e egër gjatë kryerjes së krimeve.
“Cilësojmë se, këto grupe kriminale dyshohet se kanë kryer veprat penale me pasoja të rënda të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë. Disa nga veprat penale më serioze për të cilat këto grupe po hetohen janë: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kultivimi i bimëve narkotikeve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, , “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurim i kushteve për kryerjen e vrasjes”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”etj.
Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Po ashtu bëhet me dije edhe roli i katër zyrtarëve të policisë.
“Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:
– Ish Deputeti me iniciale A.N.;
– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me iniciale H.M.;
– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, me iniciale K.SH.;
– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, me iniciale A.M. dhe A.P.
Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi H.M., me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin K.Sh. dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Po ashtu i hetuari H.M., në bashkëpunim me shtetasin P.Gj., aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi D.B., në bashkëpunim me shtetasin A.M. (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës” njofton SPAK.
Nga OraNews