10 Korrik 2023

Prokuroria e Posaçme kërkoi sot arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Në dosjen voluminoze dorëzuar mëngjesin e kësaj të hëne në kryesinë e Kuvendit, prokurorët e Posacëm kanë ngritur tre akuza ndaj ish-ministrit Ahmetaj.

Më konkretisht SPAK akuzon ish ministrin Ahmetaj, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Po cfarë parashikon Kodi Penal, lidhur me këto vepra penale?

Korrupsioni – Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga 4 deri në 12 vjet.

Pastrimi i parave – Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se 15 vjet me burgim.

Deklarim i rremë e fshehje pasurie – Fshehja ose deklarimi  i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.