SPAK komunikon akuzat për Ahmetajn
21 Mars 2024
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka komunikuar akuzat të pandehurve, Arben Ahmetaj dhe dy pronarëve të inceneratorëve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Sipas SPAK, ish zv.kryeministri, tashmë në arrati, ka përfituar rryshfet nga bosët e inceneratorëve, si pasuri të paluajtshme dhe në formën e dhuratave apo pagesës së udhëtimeve.
SPAK thotë se tashmë Ahmetaj është zyrtarisht nën hetim për veprat penale pastrim parash, korrupsion në 6 raste dhe fshehje pasurie.
Vilat në bregdet, një laptop dhe një celular Blackberry janë tre objektet ku janë gjetur provat më të shumta për Ahmetajn.
Një kompjuter që i përket Klodian Zotos, rezulton se përmban udhëtimet luksoze për ish funksionarin. Bëhet fjalë për 14 udhëtime dhe qëndrime në hotele luksoze nga Milano të Italisë në Monako, Vjenë të Austrisë, Frankfurt të Gjemanisë dhe rivierën Franceze.
Për hetimet SPAK i referohet edhe një sërë dëshmish që tregojnë se vilat në Palasë dhe në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn.
Ndërkohë që nga një telefon “blackberry” i sekuestruar janë përftuar mesazhe dhe komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë ish-zyrtarë dhe biznesmenë.
Janë mbi 300 faqe dosje për Ahmetajn dhe persona afër tij.
Në dosje rezulton se dhe ish ministri Damian Gjiknuri ka shoqëruar Arben Ahmetajn, por vetë Gjiknuri ka mohuar.