SPAK merr të pandehur Deputetin e PS-se Plarent Ndreca? – Ja pse akuzohet
24 Tetor 2024
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili disa kohë më parë është marrë i pandehur, lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohen kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për tu njohur me përfundimin e hetimeve, ndërsa kanë disa ditë kohë të përgatisin memot e tyre, para se dosja të zbresë në GJKKO me kërkesën e nisjes së gjykimit, raporton Syri tv.
Akuza Ndrecës i është komunikuar për “Shkelje të barazisë në tender”, ndërsa bashkë me të, u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli I Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.
Bardhi publikon dokumentin: Plarent Ndreca nën hetim nga SPAK për abuzim në tendera
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka publikuar dokumente që provojnë se Plarent Ndreca, deputet i Partisë Socialiste, është nën hetim nga SPAK për shkelje të ligjit në tenderin e rikonstruksionit të disa komisariateve.
Bardhi thekson se Ndreca është akuzuar për shkelje të barazisë në tendera dhe për abuzime që i kanë shkaktuar dëm të rëndë buxhetit të shtetit.
Ai ka shpjeguar se, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Ndreca ka paracaktuar fituesin e tenderit dhe ka rritur fiktivisht vlerat e prokurimeve.
Bardhi kërkoi që SPAK të ndjekë nga afër procesin hetimor dhe të japë llogari për shkeljet e evidentuara.
“Sot një deputet periferik i Edi Ramës paska sulmur me gjuhën e gënjeshtrave të Erion Veliajt kolegun Belind Këlliçi. Është i njëjti deputet i PS që gënjeu të enjten publikisht në emisionin “Opinion” kur tha që s’ka asnjë problem në SPAK. E vërteta është që Plarent Ndreca, deputeti i Edi Ramës, është nën hetim në procedimin penal nr. 240/2021, bazuar në një Referim (kallëzim/informacion) të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, të kryer në bashkëpunim, me abuzim miliona euro për rikonstruksionin e disa godinave të Komisariateve (Komisariatet nr.4 Tiranë, Vlorë, Mirditë dhe Pogradec).
Ndryshe nga balta që ai hedh me gënjeshtra ndaj kujtdo që i thotë të vërtetën në sy, që ai është një shkelës recidivist i ligjit, për Plarent Ndrecën qartësisht sipas dokumenteve zyrtare, SPAK ka dalë në konkluzionin që si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ai ka shkelur ligjin duke paracaktuar kompaninë fituese dhe rritur fiktivisht vlerat e prokurimit, duke sjellë dëm të rëndë financiar për Buxhetin e Shtetit. Nga hetimi i deritanishëm janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi mbi prokurimin publik, duke cënuar barazinë e pjesëmarrësve në këto procedura prokurimi dhe që kanë krijuar rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit.
Nga Edison Vatnikaj