SPAK merr të pandehur gjykatësen e Vetingut, Etleda Çiftja
Prokuroria e Posaçme SPAK ka marrë të pandehur komisioneren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja. Nga burimet mësohet se akuzat e ngritura ndaj Etleda Çiftjes janë “deklarim i rremë” dhe “flasifikim dokumentash”
Më parë nga SPAK, janë marrë të pandehur anëtarët e KPA Luan Daci dhe Ardian Hajdari.
Kush është Komisionerja e KPK, Etleda Çiftja
Diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Znj. Çiftja është juriste me më shumë se 16 vjet eksperiencë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit.
Ka kryer trajnime të shumta ndërkombëtare në fushën e lidershipit/menaxhimit; hartimit dhe negocimit të kontratave; auditimit të përputhshmërisë me etikën dhe të antikorrupsionit. Ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001.
Karrierën e saj, znj. Çiftja e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001- 2009, znj. Çiftja ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies” , në pozicionin e këshilltares së përgjithshme/drejtores ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit.
Për periudhën 2009- 2017, juristja Çiftja ka punuar pranë shoqërisë së mirënjohur norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropower sh.a.”.
Në këtë kompani, znj. Çiftja ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme drejtuese dhe menaxheriale, si këshilltare e përgjithshme/drejtore ligjore për Shqipërinë, drejtuese për përputhshmërinë me Kodin e Etikës, si edhe anëtare e bordit menaxhues të shoqërisë.
Pas 8 vitesh në funksione të ndryshme pranë kësaj kompanie, znj. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ajo ka marrë pjesë në kualifikime të ndryshme profesionale, brenda dhe jashtë vendit. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane.
Gazeta Shqiptare