SPAK ndaj MSH për tenderat: – Nëse s’keni përgjigje, do bastisim zyrat
SPAK ndaj MSH për tenderat: – Nëse s’keni përgjigje, do bastisim zyrat
10 Maji 2020
Prokuroria e Posaçme kundër krimit e korrupsionit (SPAK) prej 10 ditësh nuk merr përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për tenderat sekretë, për të cilat SPAK ka nisur kryesisht hetimet.
Burime nga grupi hetimor bënë me dije për Report Tv se të premten ndaj ministres Ogerta Manastirliu është nisur një kërkesë e dytë për informacion pasi në kërkesën e parë prej 10 ditësh ajo nuk i është përgjigjur.
Report Tv ka lexuar shkresën drejtuar ministres Manastirliu ku hetuesit e SPAK kërkojnë të dinë: Çfarë procedure është ndjekur në tenderat e zhvilluar? Çfarë klasifikimi sekret dhe çfarë niveli sekret kanë tenderat e zhvilluara nga ky institucion? Numrin e tenderave të zhvilluar me procedurë sekrete? Sa është vlera e tenderave me procedurë sekrete? Çfarë është blerë me këto tendera?
Hetuesit thanë se në rast se në fillim jave nuk do të kenë një përgjigje nga Institucioni Shëndetësisë ku kanë dërguar dy shkresa radhazi me këto pyetje atëherë ata do zbarkojnë në këtë institucion për të bastisur zyrat dhe marrë dokumentet e kërkuara.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, opozita denoncoi se ministrja Manastirliu i kishte djegur këto dokumente, ndërsa nuk mungoi reagimi i numrit një të shëndetësisë, e cila tha se ky pretendim për zjarr imagjinar është i pavërtetë dhe tymi del vetëm nga koka e Bashës.
Në kundërpërgjigje të Manastirliut doli sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili tha se do publikonte sot prova që ka pasur zjarr!
Prej më shumë se sa 2 javësh, SPAK ka nisur hetimet për tenderët sekret dhe më herët ka pyetur 6 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të ofertave për një procedurë të ngjashme të ndjekur nga ministria e Mbrojtjes për tenderat me ushqimet shpërndarë familjeve në nevojë përgjatë pandemisë.
j.l./ dita