SPAK nis hetimet për pasurinë e “kolegut” Erion Veliaj dhe familjarëve të tij: – Dosja, si procedim penal!
22 maji 2024
Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar pasurinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarëve të afërm të tij.
Në një dokumentet e publikuara dje në media konfirmohet kërkesa që prokurori i SPAK, Ols Dado u ka drejtuar të gjitha bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, që të japin informacion për pasurinë e kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes se tij, Ajola Xoxa, vëllait, Arbër Veliajt dhe nënës së tij, Shqiponjë Veliaj.
Në shkresën e SPAK thuhet se “Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka regjistruar procedim penal”.
Nuk është e qartë nëse ky procedim penal ka nisur drejtpërdrejt me emrin e Erion Veliajt, apo ai po hetohet si pjesë e dosjes së inceneratorëve.
Në kërkesën e SPAK për bankat, kërkohet që të vendoset në dispozicion çdo informacion që lidhet me veprimet bankare dhe transaksionet financiare të kryera brenda dhe jashtë vendit për personat e cituar më lart.
Gjithashtu SPAK ka kërkuar informacion edhe nëse këta persona kanë marrë kredi si dhe historiku i shlyerjes së saj. Erion Veliaj u pyet më 30 prill për më shumë se 8 orë në SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
DOKUMENTET E PUBLIKUARA DJE NE SYRI TV
Ai deklaroi para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.
Duke i quajtur hetuesit e SPAK si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Erion Veliaj tha ndër të tjera se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve.
“Falenderoj kolegët e SPAK, një institucion që unë nuk kisha pas të bëja më parë. Pas këtij takimi më ka krijuar bindjen që është bërë një investim persë mbari në Shqipëri. Isha me dy kolegë hetues, profesionistë dhe unë them që ne duhet ti forcojmë institucionet. Isha këtu si bashkëpunëtor”, tha Veliaj.
Veliaj po ashtu tha se tashme ndihet me i lehtesuar, ndersa theksoi se iu kerkua që për shkak te sekretit hetimor detajet te mos i ndaje me mediat.
“Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Të gjitha shpjegimet për mënyrën ku dallon projekti i IFC i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish bashkia me 37 euro tonin dhe si ky proces ishte një gjë tjetër e pa kërkuar nga investitorë që nuk kishin lidhje me bashkinë dhe IFC.
U thanë edhe disa detaje të tjera. Dy koleget hetues me kanë kërkuar që për cështje të sekretit hetimor duke qenë se bashkia ka sjellë edhe prova të tjera mu kërkua që të mos i ndaj me gazetaret. Do jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time. Ndihem mirë që sot unë dhe ata që më duan ndihen më të lehtësuar. Unë ndihem më i lehtësuar që pata mundësinë të them fjalën time”, tha kryetari i bashkise.
Nga OraNews