SPAK zbardh qindra përgjime të Belinda Ballukut me vartësit e arrestuar dhe nën hetim, drejt mbylljes “puzzle” i…
28 Gusht 2024
Zv/kryeministrja Belinda Balluku ndodhet në pozita shumë të vështira. Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme në dosjet korruptive që po heton ka zbardhur qindra përgjime që implikojnë Ballukun në batërdinë miliona euro që bashkë me drejtorët e saj të arrestuar dhe nën hetim i kanë bërë dhe po i bëjnë buxhetit të shtetit. Në duart e SPAK kanë dalë prova që fundosin zëvendësen e Ramës në aferat e saj me energjinë, rrugët, transportin, portet detare, ujësjellësit, landfillet, hekurudhën, planifikimin e territorit.
Mësohet se prokurorët specialë i kanë kopsitur disa dosje dhe po bëjnë gati goditje të forta në ministritë e Ballukut, sidomos te Drejtoria e Rrugëve, KESH, FSHZH, Albpetrol, Portet Detare, koncesionet e HEC-ve, Transporti Rrugor, Hekurudhë, Albcontrol, Agjencia e Burimeve Minerare dhe lejet e resorteve. Tashmë SPAK po afrohet edhe më shumë te “koka” që lëviz fijet korruptive.
Nuk mund të ketë dhjetëra abuzues në ministrinë që drejtohet nga Balluku dhe ministrja i ka lënë të lirë të hanë “dardha pas shpine”. Faktet po plotësohen një nga një dhe nuk përjashtohet që ajo të pësojë fatin e Arben Ahmetajt. Në një artikull të fundit të gazetës, treguam se Belinda Balluku është zyrtarja e lartë që ka numrin më të madhe të drejtorëve në hetim nga Prokuroria e Posaçme apo janë të arrestuar për korrupsion dhe abuzim në tendera.
Si e kanë fundosur vartësit e saj?
Sjellim në vëmendje se Ergys Verdho, kreu i KESH u largua pak kohë më parë nga ky post, pasi ndaj tij nisi një hetim për tenderat në institucionin që ai drejtonte. Në dosjen që po heton SPAK kanë dalë përgjime që implikojnë Ballukun. Një tjetër drejtor nën varësinë e ministres Balluku ka qenë edhe Evis Berberi, kreu i ARRSH, i cili përfundoi në pranga në muajin mars.
Drejtori i ministres Balluku akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, nën arrest kanë përfunduar po ashtu dhe dy sipërmarrës, të lidhur me të, Valter Begaj, dhe Ervis Lamaj. Në aferat me tenderat e ARRSH, si rruga Korçë-Ersekë, rruga e Arbrit, Kashar-Thumanë dhe tuneli i Llogarasë del dhe emri i Ballukut. Janë bërë shkelje marramendëse me fryrjen e kostove dhe fituesit e tenderave. Dosjet po hetohen nga SPAK. Nga ana tjetër, zyrtar i lartë, i cili është nën hetim është edhe Ceno Klosi, ish-kreu i Tatimeve, i cili ishte në varësinë e Ballukut. Ky i fundit po hetohet për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se hetimet ndaj Klosit u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. “Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria. Po ashtu në përgjime të tjera ku shfaqet emri i Ballukut kanë dalë edhe në zbërthimin e telefonave të sekuestruar nga vartësit e saj në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Për zëvendëskryeministren ka pasur denoncime të shumta muajt e fundit për abuzime dhe favore. Madje ajo është thirrur edhe në SPAK për të dhënë llogari për aferën e inceneratorëve. Aty ka fakte dhe prova se ajo është përgjegjësja për pagesat e kryera për djegësat “fantazmë” që kanë bërë kasaphanë me buxhetin e shtetit. Po ashtu emri i Ballukut del edhe te Porti i Durrësit, aferë që ka dy kallëzime. Aty dalin qartë favorizimet që i janë bërë sheikut nga Duabi Mohamed Alabbar, i cili po shet ndërtesa ende të pandërtuara. E implikuar Balluku është dhe te afera e pronave në ushtri. Kanë dalë përgjime në SPAK për urdhrat që ajo iu jepte drejtorëve për abuzimet e mëdha që janë kryer. Madje thuhet se në prokurorinë speciale ka dokumente që Balluku mendon se i ka zhdukur.
Gazeta Sot