
SPAK zbarkon te Manastirliu, zgjeron hetimet për aferën 130 milionë euro të koncesionit të…
24 Shkurt 2025
Operacioni i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) duket se ka hyrë në një fazë vendimtare, duke shtrirë hetimet mbi koncesionin famëkeq të laboratorëve, ku shteti ka derdhur 130 milionë euro në duart e privatëve. Nën lupën e hetimeve është tashmë ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila firmosi këtë marrëveshje, ndërsa emri i biznesmenit Janis Karathano shfaqet si përfitues kryesor. Sipas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky koncesion nuk duhet të ishte dhënë kurrë, duke ngritur dyshime të forta për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Ndërkohë, spitalet rajonale, të zhytura në mungesë fondesh, detyrohen të ndihmojnë firmën koncesionare me “urdhër nga lart”, ndërsa ai del çdo vit me fitime miliona euro. Por hetimet e SPAK pritet të çojnë në pasoja të rënda për zyrtarët e përfshirë, ndërsa rrjeti i korrupsionit në sistemin e shëndetësisë po dridhet nga themelet. Arrestimet janë vetëm çështje kohe dhe Manastirliu mund të jetë emri i radhës që do të përballet me drejtësinë. Më poshtë po pasqyrojmë një investigim të bërë nga “Vox News” për këtë aferë.
Detajet
Prej vitit 2020, laboratorët mjekësore pranë spitaleve universitarë, rajonalë dhe lokalë, janë dhënë me koncesion për 10 vite. Një konsorcium firmash me seli në Shqipëri, Holandë dhe Francë janë shpallur fitues, teksa emri i firmës koncesionare është “Laboratory Netëorks”. Kostoja totale që do të marrin këto firma nga shteti është plot 130 milionë euro, teksa në marrëveshje parashikohet se pavarësisht se shërbimi i është dhënë privatit, spitalet duhet të ndihmojnë firmën. (Përfitues në letra i koncensionit është Janis Karathano, ndërsa Ogerta Manastirliu ka firmosur si përfaqësuese e shtetit). Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka bërë disa raporte, duke gjetur shkelje të shumta. KLSH ka konkluduar se “koncesioni s’duhet të ishte dhënë”. Raporti ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, e cila ka regjistruar procedimin penal me numër 18 në vitin 2022 me akuzën e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Faksimile: SPAK ka lajmëruar se koncesioni i laboratorëve është nën hetim që nga viti 2022
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ky koncesion është nën hetim. “Në lidhje me koncensionin e ‘Ofrimi i shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake’, i fituar nga kompania ‘LABORATORY NETËORKS’, rezulton të jetë regjistruar procedim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake” tha në vitin 2024 Prokuroria e Posaçme.
Por, deri në atë njoftim nuk janë ndërmarrë veprime të publikuara, si marrja nën hetim, të pandehur apo edhe masa sigurie. Nëse do të zbërthehet ai njoftim, do të thotë se “të gjithë personazhet janë nën hetim”. Që nga zyrtarët, e ulët, mesëm apo të lartë. I gjithë zinxhiri po hetohet, madje edhe vendosja e firmës nga titullari i Ministrisë së Shëndetësisë.
Nëse do të ndalemi te raporti i KLSH-së, aty thuhet se janë kallëzuar 7 anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë, ku po verifikohet edhe roli i ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tashmë ministre e Arsimit. Ata, anëtarët e komisionit dhe ministrja, kualifikuan fituesin, megjithëse s’e meritonte.
Faksimile: Spitalet rajonalë po lëngojnë për para’, por “detyrohen” të ndihmojnë koncesionarin me “urdhër nga lart”
Megjithëse koncesionari ka një hetim mbi kurriz dhe një raport të fortë të KLSH-së, ai vijon aktivitetin, duke u paguar vit pas viti. Madje të gjitha spitalet bëjnë herë pas here tendera për t’a “ndihmuar”.
I tillë është rasti i Spitalit Rajonal të Beratit, i cili ka hapur një tender në shërbim të laboratorëve. Drejtori Arben Konomi ka hapur procedurën me objekt “blerje materialesh konsumi laboratorik dhe alkool mjekësor”. Loti i parë është blerje kite, reagent dhe materiale konsumi laboratorik për Kuçovën. Loti i dytë është “blerje tubave/sistemeve të marrjes së gjakut (në zbatim të kontratës koncesionare të laboratorëve). Loti i tretë është për blerje materiale për marrjen e mostrave të anatomisë patologjike, sërish në zbatim të kontratës koncesionare të laboratorëve. Loti i katërt është blerje alkool mjekësor.
Fondi për të katërt lote është rreth 100 mijë euro, sëbashku e TVSH-në, teksa kohëzgjatja e kontratës për zbatimin e saj është 12 muaj nga lidhja e marrëveshjes kuadër.
Faksimile: Spitali i Beratit thotë se ka vepruar pas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë
Në dokumentet shoqëruese, Spitali Rajonal i Beratit thotë se po vepron në bazë të disa udhëzimeve. Sipas saj, ka vepruar bazuar në kontratën e koncesionarit të laboratorëve të datës 10 prill 2019, disa e-maile të vitit 2021 mbi zbatimin e kësaj kontrate apo edhe shtojca dhe sërish udhëzime në vitin 2025.
Spitali Rajonal i Beratit shkruan se ka marrë disa udhëzime edhe në janar 2025, dërguar në formë elektronike me datë 29 janar 2025 nga Ministria e Shëndetësisë “për lejimin e prokurimit për blerje kite, reagent dhe materiale konsumi laboratorik”.
Por, si mund të “detyrohen” këto spitale të ndihmojnë firmën koncesionare?! Nga njëra anë ato lëngojnë për fonde e nga ana tjetër duhet t’i shërbejnë firmës, e cila nga viti në vit del me fitime.
Faksimile: Disa muaj më parë firma koncesionare publikoi bilancet e vitit 2023 ku doli me një fitim prej 1.5 milionë eurosh
VoxNeës analizoi bilancet e firmës koncesionare, e cila megjithëse “ndihmohet” nga spitalet rajonalë të varfër del vit për vit me fitime prej miliona eurosh. Në fund të vitit 2024, “LABORATORY NETËORKS” ka publikuar bilancet e vitit 2023.
Në këtë vit ka publikuar dokumentin e mësipërm ku shkruan se “vendosëm që fitimi i vitit fiskal 2023 për vlerën prej 151.038.412 lekë të mbahet pre rezerva të tjera”.
Faksimile: Bilancet e firmës koncesionare të viti 2022, ku doli me një fitim prej 1.2 milionë eurosh
Ndërkohë, e njëjta firmë ka publikuar edhe bilancet e vitit 2022. Rezulton se në atë vit firma ka nxjerrë një fitim prej 115 milionë lekësh, ose rreth 1.2 milionë eurosh.
“Aksionerët vendosën që fitimi i vitit 2022 për 115.706.987 lekë të mbahet për investime” thuhet në këtë dokument.
Faksimile: Bilanci i firmës LABOPHARMA, e cila ka 41.7% të koncesionit, deklaroi një fitim prej 3.3 milionë eurosh në vitin 2022
Ndërkohë, në qershor të vitit 2024, firma LABOPHARMA që ka 41.7% të koncesionit, ka publikuar bilancin e vitit 2023. Në dokumentin që verifikoi VoxNeës rezulton se firma në këtë vit ka dalë me një fitim prej 3.3 milionë eurosh.
Një kompani që ka vënë “në rresht” shtetin, ku detyron Spitalet Universitarë, Rajonalë apo lokalë, t’a ndihmojnë del me fitime miliona eurosh. Madje, merr para “të thata”, teksa “urdhëron” edhe stafet e disa spitaleve të mos bëjnë më shumë analiza se “është arritur kuota”. Një paradoks i madh, por duket se “leja” është e vetë shtetarëve.
Gazeta Sot