SPARTAK BRAHO KËRKON SHKARKIMIN, I PËRGJIGJET RRUFESHËM AGRON TUFA: PËRFAQËSUES I ZI I ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT. –

Shkrimtari dhe pedagogu Agron Tufa i cili drejton njëherazi Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, është vënë në “shënjestër” të Spartak Brahos nga Komisioni i Sigurisë.

Braho, ka lëshuar një lumë akuzash ndaj Tufës për punën e tij në krye të Institutit. Dhe e gjitha lidhet me demaskimin që u bën Tufa personazheve e ngjarjeve nga e kaluara komuniste që kanë lënë gjurmë e pasoja edhe sot e kësaj dite.

Braho ka shkuar larg me komentin e tij duke thënë se do kërkojë shkarkimin e Tufës por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i shkrimtarit i cili e cilëson ‘Baba Takun’ një përfaqësues të zi të ish Sigurimit të Shtetit dhe ‘neandertal të komunizmit’.

“Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Partisë Ballit Kombëtar duke marrë përsipër të nxijë çdo gjë, luftën, heronjtë, dëshmorët, dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat që ka bërë ky institut. ky është thjesht një institu studimi, nuk ka pse ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni. Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekulibruar në veprimtarinë e tij”, thotë Braho nga Komisioni i Sigurisë.

“Miq të nderuar,
Dhuratën më të çmuar sot për ditlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash perfaqësuesi i zi i ish Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit”, i përgjigjet me nota ironie sarkastike Agron Tufa i cili sot feston ditëlindjen.