Spartak Ngjela paralajmëron ndryshimin e madh: Gjithçka do të varet nga Berisha dhe Basha. –

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka goditur të gjithët politikanët e lartë, duke thënë se janë bërë bashkë për t’i shpëtuar ‘uraganit’ studentor. Sipas tij, fuqitë e mëdha janë krah studentëve për të shporrur klasën aktuale politike.

Ai shkruan se studentët nuk do të ndalen pavarësisht ndihmës që Berisha dhe Basha pritet që do t’i japin Ramës.

Postimi i plotë

Studentët e kanë kapur korrupsionin Rama në në arsimin e lartë.
Tani kuptohet sesi janë marrë paratë e universiteteve me administratorët e tij, sipas ligjit blozë që miratoi për arsimin e lartë.

l.
Gjithë vjedhja dhe degradimi i universiteteve publikë ka ardhur nga administratorët. Një shkatërrim gjigand i universiteteve publikë, dhe miliona Euro të grabitura.
E kuptoni tani pse korrupsioni Rama nuk e hiqte ministren?
E kuptoni tani pse shiteshin notat?
E kuptoni tani pse universitetet publikë janë në pikë të hallit pa ngrohje, pa laboratorë, pa instrumenta dhe pa auditorë?
Sepse paratë kanë shkuar nga administratorët te ministrja, dhe prej andej te Rama. Arsye tjetër nuk mund të ketë. Turp historik!
E kuptoni tani pse nuk e pranon Rama abrogimin e ligjit për arsimin? Sepse është kaq i trashë, sa mendon që të vazhdojë vjeljen e parave me administratorët, të cilët po presin ministrin e ri.

Po studentët?
Ata nuk i ndahen. Janë ngujuar sepse siç duket duan të lënë jashtë tyre hordhitë e Saliut dhe të Metës. Këto hordhi u sulën që të shkatërronin protestën e studentëve me ekstremizëm që Rama t’iu thosh budallenjëve që e ndjekin se protesta është e Saliut dhe e Metës. Dhe kështu vijoi. Madje budallenjtë e trembur që drejton Rama kështu thonë dhe sot. Po tani pas fillimit të ngujimit, çdo të thonë? Të shohim, sepse gjithçka do të varet nga ndihma që Berisha dhe Basha do t’i japim Ramës.
Në fakt lodhen kot. Studentët nuk do t’iu ndahen, se fluksi studentor i protestës e ka të menduar mirë që korrupsioni shkon drejt degradimit nëse ata do të vijojnë protestën e tyre, e cila në thelb është një protestë antikorrupsion.

ll.
Gjithçka sot duhet parë nën një prizëm të ri. Përplasja e korrupsionit me presionin e reformës në drejtësi dhe protestës së studentëve, është epiqendra e zhvillimit të sotëm për goditjen e korrupsionit dhe krijimit të premisave për zhvillimin e Shqipërisë, të kapur peng nga një bandë korruptive.

Korrupsioni kryeministror shqiptar i të dy krahëve të politikës, domethënë korrupsioni kryeministror Rama-Berisha, tani është nën goditje, dhe pikërisht është trysnia e kësaj goditjeje që po shihet, e cila ka kohë që i ka bashkuar.
Të dy këta korrupsione kryeministrorë kanë blerë plotësisht median, dhe media prandaj, e ndarë politikisht, në fakt është brenda korrupsionit të bashkuar. Kjo është arsyeja që nuk jepen fare lajme për antikorrupsionin, dhe gjithçka opozitare është futur në një luftë krejt personale për të shpërngulur vëmendjen. Kjo është një zhurmë mashtruese që po kërkon të zhvendos vëmendjen e opinionit publik shqiptar.

Por ky është naivitet. Reforma në Drejtësi tani është thuajse e përfunduar, kurse korrupsioni kryeministror e ka skemën e vet te zvarritja, dhe te triumfi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Në fakt të korruptuarit e lartë të Shqipërisë kanë një vit që po presin që politika Amerikane të tërhiqet nga Ballkani Perëndimor.

Korrupsioni kryeministror shqiptar ka kthyer brenda vetes iluzionin se presidenti amerikan Trump do të përkrahë interesin Rus në Ballkan.
Por këta të korruptuar që gurgullojnë së brendshmi nga frika nuk arrijnë të kuptojnë që ajo që mendojnë këta, është objekt hetimi kundër presidentit në Amerikë. Po me kë të flasësh! Këta janë individë që kurrë nuk e kuptuan se çfarë është drejtimi politik i një vendi brenda interesit kombëtar. Janë përvetësues të mëdhenj të vlerave kombëtare dhe po hidhen degë më degë për të krijuar destabilizimin e Shqipërisë, që me anarki të largohen për të shpëtuar gjënë e vjedhur. Shkuan në Moskë para një viti dhe hynë në çadër. Dështuan aty me gjithë të mbi dyqind oficerët rusë të ardhur këtu nga të gjitha pikat kufitare…

Kot lodheni o të mjerë, ju dhe ata palo ekspertë mediatikë që ju përkrahin, nuk bëni dot gjë, se nuk e kuptoni që antikorrupsioni ju ka marrë kushtetutën, dhe antikorrupsionin shqiptar e drejton Uashingtoni. Nuk ka kthim mbrapa, shpresoni kot. Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor është trend historik i politikës amerikano-gjermane kundër politikës ruso-orientale në Ballkanin Perëndimor.

A e patë sjelljen e Merkelit dje në Athinë? Është kërcënim për Athinën dhe Beogradin. Ku ka para Athina dhe Beogradi që t’i kundërvihet politikës amerikano-gjermane në Ballkanin Perëndimor! Janë të humbur. Por edhe Moska, edhe Beogradi dhe, edhe Athina shpresën e kanë te korrupsioni kryeministror shqiptar. Por e kanë kot. Asgjë nuk bëjnë dot. Kushtetuta shqiptare do të zbatohet një për një, se në të kundërt qeveria shqiptare do të përplaset me embargo të plotë që as Rama dhe as Saliu e Lulëzimi bashkë nuk do dinë ku të futen.
Kryeministri shqiptar duhet t’i këtë të gjitha këto parasysh. Nënshtrimi ndaj akuzës që po i vjen së shpejti, është e vetmja rrugë racionale për të. Gjithë të tjerat janë shumë të rrezikshme.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/