21 Shtator 2023

“… Si mund t’i lejoj unë të gënjejnë për historinë e Shqipërisë, si mund të lë një stacion shqiptar që thotë shqiptarët nuk dihet nga kanë ardhur”.

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Dritare TV, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që t’i heqë licencën televizioneve që në studio ftojnë personazhe antishqiptar.

Sipas tij, një masë e tillë duhet ndërmarrë për shkak se nuk mund të ketë njerëz që ftohen në studio dhe të gënjejnë për historinë e Shqipërisë.

Gjithashtu Ngjela theksoi se në asnjë vend perëndimor nuk mund të flasësh në studio televizive kundër vendit tënd.

“Nuk mund të flasë njeri kundër interesit kombëtar. I kam bërë thirrje Ramës që të gjitha stacionet televizive që marrin antishqiptarë nëpër studio dhe i vënë të flasin, duhet t’u heqin licencën, të mos lejojë transmetimin e tyre.

Pa ik fol njëherë kundër interesit kombëtar në një vend perëndimor? Pse demokracia është kundër meje? Kryeministri duhet t’i mbyllë. Kjo është masë në të gjithë botën.

Si mund t’i lejoj unë të gënjejnë për historinë e Shqipërisë, si mund të lë një stacion shqiptar që thotë shqiptarët nuk dihet nga kanë ardhur.

Ma tha njëri mua. Jot ëmë e ka bërë, i thashë, dhe e mora për rreckash dhe e nxora jashtë. Kryeministri duhet ta ketë në përparësi ketë”, tha ai.