Specialistët e trashëgimisë akuzojnë ASHA: – Është shndërruar në një agjenci dekorative, qendër korrupsioni dhe paaftësie
Specialistët e trashëgimisë akuzojnë ASHA: – Është shndërruar në një agjenci dekorative, qendër korrupsioni dhe paaftësie
07/06/2019
Specialistët e trashëgimisë shprehen se baza e arkeologjisë është gërmimi arkeologjik, por në vendin tonë kjo është shumë e paktë krahasuar me vite më parë. Të gjendur përballë kësaj situate studiues dhe arkeologë të njohur shprehen se përgjegjësia shkon te institucionet e trashëgimisë që nuk po bëjnë sa duhet. Sipas specialistëve sot Ministria e Kulturës me institucionet, që ka në varësi po vijon me mungesën e profesionistëve dhe janë mbushur me rrogëtarë. Ndërsa studiuesi dhe arkeologu Moikom Zeqo shprehet se sot nuk ka më gërmime arkeologjike si dikur, për arkeologun Neritan Ceka edhe ASHA është një institucion i korruptuar. Në reagimin e tij arkeologu Moikom Zeqo shprehet se arkeologjia shqiptare tani është dekorative. “Baza e arkeologjisë është gërmimi arkeologjik, që ndryshe nga shkencat e tjera pa gërmime arkeologjike nuk mund të ketë arkeologji. Dikur gërmimi arkeologjik në Shqipëri bëhej i organizuar dhe në të gjitha rrethet, por sot nuk ka fare, sepse nuk ka fonde. Është ndjekur metoda, që disa universitete të huaja kanë studentë të arkeologjisë, kanë fonde të vogla dhe bëjnë gërmime të pjesshme, por që nuk ka të bëjë me arkeologjinë shqiptare më. Arkeologjia shqiptare dikur qe autonome, që e fuqishme dhe e organizuar. Tani është dekorative, është thjesht për një arkeologji që ka një zyrë por nuk është se ka gërmime arkeologjike”, pohon studiuesi. Problem tjetër sipas tij sot mungojnë dhe botimet zyrtare, por sipas arkeologut Moikom Zeqo shqetësues është dhe fakti që sot arkeologjia nuk ka më peshë shkencore si dikur para viteve 90. “Dikur kishte figura dinjitoze në arkeologji si Hasan Ceka, Çesk Shpendi, Skënder Anamali apo Selim Islami, por sot nuk kemi asnjë arkeolog të këtyre përmasave. Kemi arkeologë me tituj, por pa libra dhe studime, dhe pa autoritetin e këtyre figurave. Sot është një arkeologji, që nuk është se ka ndonjë peshë shkencore më. Nëse do të kishte do të organizonte si dikur kuvendet e studimeve ilire, do të merrte pjesë në debat dhe të mbronin konceptet shkencore të arkeologjisë në Shqipëri, madje as nuk shkruhet”, shton më tej ai.
Sistemi për trashëgiminë jo për terrenin
Për arkeologun Neritan Ceka askush nga institucionet përgjegjëse nuk bën për arkeologjinë atë që duhet bërë. Me kritika arkeologu Neritan Ceka është dhe ndaj Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik. “ASHA për mua është një qendër korrupsioni. Tek Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) keni numrin të licensuarve, dhe sipas kësaj që thonë filozofët e shekullit të internetit, që i kanë nxjerrë numrat që çdo klient, që është i interesuar për të bërë një monitorim arkeologjik duhet i drejtohet këtyre numrave s’ka punë me ASHA, dhe zgjedh personin që pëlqen. Por nëse i marrim me rradhë këto numra dhe pyesim sa herë i kanë marr në telefon, po doli që kanë marr ndonjëherë ndonjë prej tyre, përveç që ka disa që nuk kanë nevojë për telefon se janë të abonuar. Atje ka një rrjet sekserësh, që punojnë vetëm për këtë punë, që kush ka nevojë i thonë mos shko tek x, por po deshe punë shko te y. Dhe janë 2-3 firma që bëjnë të gjitha punët. Por nëse shkoni shikoni kush paraqet punët janë të njëjtët persona. Një person, që nuk është arkeolog dhe ka dhjetë punë, vjen një profesor ka zero punë ose ka vetëm një punë”, shprehet arkeologu Neritan Ceka. Duke folur për problemet në arkeologjinë shqiptare arkeologu Neritan Ceka vijon se institucionet e Ministrisë së Kulturës janë mbushur me rrogëtarë, duke mos bërë atë që duhet për trashëgiminë kulturore. “Ministria e Kulturës ka buxhet 4 milionë euro për të gjitha. Natyrisht që ato mjaftojnë vetëm për rroga dhe atje të gjithë janë rrogëtarë, nuk punojnë. Nëse shkon në IMK ke 50 veta. I gjithë sistemi që merret me trashëgiminë kulturore është 100 vetë dhe asnjë nga këta nuk është në terren. Nuk ka fonde investimi dhe i vetmi fond investimi i mundshëm është Butrinti. Dhe sot janë gati më shumë se 1 milion euro në kasën e Butrintit, që sipas ligjit mund ti përdorin për gërmime arkeologjike, restaurime dhe kërkime Ministria e Kulturës, por mund të investojë dhe për IA. Por këto fonde ata duan ti privatizojnë”, shprehet arkeologu Ceka në reagimin e tij.
Nga Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/