Specialistët e trashëgimisë japin alarmin: Po humbasim monumentet kulturore, duhet ndërhyrje emergjente në Shkodër dhe Lezhë

 

Monumentet e kulturës në vend rrezikojnë jo pak, të lëna prej vitesh pa ndërhyrje dhe projekte restaurimi sot një pjesë e tyre lënë për të dëshiruar. Sipas specialistëve të trashëgimisë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk kanë mundur dot deri tani të sjellin një përmirësim të kësaj situate. Nëse flasim për Lezhën dhe Shkodrën ka objekte monument kulture që janë drejt shkatërrimit. Rasti më i fundit është dhe kisha e Shën Premtes në Balldre të Lezhës.

Specialist i trashëgimisë kulturore historiani Paulin Zefi bën thirrje, që IMK duhet të marri masa urgjente për të ndaluar më tej shkatërrimin e kishës. “Era e fuqishme e këtyre ditëve nuk e ka kursyer as këtë perlë mesjetare, Kishën e Shën Premtes në Balldre të Lezhës. Nëse DRKK-Shkodër dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk marrin masa urgjente, atëherë sapo të fillojnë reshjet e para të shiut lagështira rrezikon dëmtimin e afreskeve të mrekullueshme të kësaj kishe”, shkruan Zefi ndërsa ka publikuar dhe disa foto nga kisha në Balldre. Më herët specialisti Paulin Zefi ka bërë me dije se janë disa kisha që kërkojnë ndërhyrje emergjente. “Kishat që kanë më shumë probleme janë ato mesjetare, ka pasur shumë pak ndërhyrje ndër vite. Në gjendje më të vështirë dhe më e amortizuar është kisha e Shën Nikollit në fshatin Zejmen.

Afresket janë fshirë dhe kanë mbetur gjurmë të vogla, janë dëmtuar dhe muret. Kemi probleme dhe kishën e Shën Barbarës me afresket, që kanë ardhur duke u dëmtuar si rezultat i lagështirës, si dhe çatia ka probleme. Tavani po ashtu ka rënë. Dera kryesore është shumë e dëmtuar. Kjo kishë është mesjetare dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje” shprehet ai. Kisha e Blinishtit po ashtu ka nevojë për ndërhyrje, por sipas tij ka probleme dhe me disa kulla jo vetëm Lezha, por dhe Mirëdita e Kurbini. “Janë totalisht të harruara, ndërhyrje as nuk ka pasur”, ka treguar specialisti Paulin Zefi. Përballë kësaj situate për studiuesin Moikom Zeqo monumentet e kulturës në këto zona kërkojnë një plan kombëtar dhe përgjegjësia është e institucioneve, që nuk duhet ti lënë të degradojnë. “Një nga kishat që unë kam kërkuar disa herë që të ketë ndërhyrje është Kisha e Shirgjit, sepse është e kërcënuar nga shkatërrimi. Po ashtu duhet ndërhyrë dhe në monumentet arkeologjike të qytetit të Drishtit. Aty nga gërmimet arkeologjike që janë bërë në strukturën e Komanit janë disa kisha që nuk janë shpallur ende monument kulture dhe duhet bërë restaurimi që mos të degradohet më tej. Ministria dhe IMK duhet të kenë plane projekte për kishat, objektet që kërkojnë ndërhyrje urgjente”, shprehet arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo.

Më tepër propagandë se projekte

Sipas studiuesit Moikom Zeqo objektet me probleme janë nga veriu në jug të vendit dhe kishat rrezikojnë jo pak. “Përgjithësisht kishat ilire në antikitetin e vonë, që quhet shekulli i gjashtë kanë nevojë urgjente për restaurimin në Shqipëri. Ndodhen në gjithë territorin e vendit nga veriu në jug. Ministria duhet të ketë një program kombëtar për restaurimin e kishave. Ne kemi kishat e tjera që janë shkatërruar dhe nuk ekzistojnë më si ajo e Vaut të Dejës, që është bërë një rindërtim por nuk është autentik, sepse ajo e vjetra është shkatërruar”, shprehet Zeqo. Me kritika për institucionet studiuesi Moikom Zeqo pohon se më tepër bëhet propagandë se sa bëhen ndërhyrje konkrete në objekte. “Di që është folur për një projekt për Kishën e Shirgjit, por unë nuk e di se çfarë bërë apo si ka vijuar puna me atë projekt. Institucionet i kanë projektet si propagandë, por jua e kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi më specialistë. Kemi IMK, por nuk ka specialistë. Kultura te ne prodhon më tepër propagandë se sa shkencë. Ka një kontradiktë midis propagandës dhe shkencës. Duhet program kombëtar dhe ndërhyrje në objektet, që po rrënohen”, shprehet si specialist i trashëgimisë Moikom Zeqo. Arkitekti Latif Lazimi, i cili për katër dekada punoi në IMK pohon se kjo është një gjendje e trashëguar ndër vite, por në monumentet e rrezikuara duhen ndërhyrje emergjente. “Normalisht monumentet duhet të mirëmbahen vazhdimisht. Nëse nuk mirëmbahen ato degradohen dhe kjo çon në shkatërrimin e tyre. Kur ka emergjenca duhet të ndërhyhet menjëherë, në se jo mbajnë përgjegjësi institucionet. Duhet të kenë fonde për emergjencë patjetër”, shprehet dr. Lazimi.

Nga Julia Vrapi