Specialistët e trashëgimisë: Situata në kalanë e Gjirokastrës tejet alarmante, ministria justifikohet me tërmetet. –
Nga: Julia VRAPI. –
Kalaja e Gjirokastrës e rrezikuar dhe specialistët pohojnë se nga institucionet duhen marrë sa më parë masat. Çarja e mureve të kullës jugore të kalasë sipas tyre tregon se monumenti rrezikohet, por deri tani nuk ka ndërhyrje. Në reagimet e tyre ata pohojnë se Ministria e Kulturës duhet të nisë sa më parë punën me projektin e ndërhyrjes, që mos të ndodhë si me Urën e Hoshtevës. Arkitektja Lida Miraj tregon se në një kohë kur në Ministri të Kulturës mungojnë specialistët, nuk ka interes që ata të thërriten dhe të diskutohet për problemin e çarjes së murit në kullën e kalasë në Gjirokastër. Edhe pse më herët ministrja Kumbaro në komisionin e Medias ka folur për projekt ndërhyrje në kalanë e Gjirokastrës, sipas prof. Lida Miraj arkitekte, arkeologe, është një situatë emergjente. Në reagimin e saj Miraj thotë se ministria duhet të mbledhë specialistë të fushës si sizmiologë, gjeologë, etj, dhe të mendohet për problemin në kala. “Ministria e Kulturës të pyesë specialistët, atje duhen sizmiologë, gjeologë, por ata akoma nuk kanë anulluar dhe Bypass. Duhet anulluar Bypass dhe të thërriten specialistët e fushës për kalanë e Gjirokastrës. Në Ministri të Kulturës nuk ka asnjë specialist.
Çfarë mund ti thuash Ministrisë së Kulturës kur ende nuk ka anulluar ligjërisht Bypass deri tani”, pohon arkitektja Miraj në reagimin saj. Më 18 Janar shembja e një masivi dheu pikërisht nën kullën Jugore alarmoi një pjesë të specialistëve për një aktivizim të ri të lëvizjes së shkëmbinjve, që mund të prishin ekuilibrin statik të gjithë shpatit. Studio italiane Torresi që realizoi në vitin 2006 Studimin e Riskut Sizmik për Gjirokastrën e prezanton situatën të vështirë dhe zonën rreth kështjellës si një territor me risk sizmik të nivelit 3 dhe 4 që tregohet me ngjyrë të kuqe në hartën e asaj periudhe. Raporti rekomandon masa për reduktimin e riskut, por asnjë ndërhyrje nuk ka ndodhur deri tani. Sipas prof. Lida Miraj edhe fotot e publikuara së fundmi nga arkitekti Kreshnik Merxhani tregojnë se ka lëvizje të murit. “Ishin llahtar fotot të cilat ishin publikuar nga Kreshnik Merxhani për çarjen e murit të kullës jugore të kalasë. Xhami vendoset për të parë që do të ketë apo jo lëvizje,por nëse është thyer xhami atëherë ka lëvizje të mureve. Në murin e kullës ishin thyer xhamat dhe kjo tregon që është zgjeruar krisja e murit. Ka rrezik dhe ndaj duhet të mblidhen specialistët dhe të diskutojnë për gjendjen”, cilëson më tej Miraj. Sipas arkitektes shkatërrimet në trashëgiminë kulturore po vijojnë dhe përmend si absurd dhe faktin kur nga tërmeti në Janinë nuk shemben objektet monument kulture dhe ministrja Kumbaro thotë që kisha e Leshnicës u shemb se ra tërmet në Janinë. “Tek ne shembet kisha e Leshnicës dhe ministrja e Kulturës thotë u shemb kisha se ra tërmeti në Janinë, por në Janinë kur bie tërmet nuk shembet e asnjë kishë. Kjo që thuhet është absurde, në Janinë nuk shembet, tek ne u shemb se ra tërmeti atje. Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore po vijon nuk është se ka ndodhur vetëm tani. Gradualisht me heqjen e specialistëve vijuan problemet, nuk pyetën specialistët”, cilëson më tej ajo. Asnjë masë për kalanë Arkitekti Kreshnik Merxhani një nga zërat në mbrojtje të trashëgimisë kulturore ka publikuar foto të cilat tregojnë problemin në kullën jugore të kalasë së Gjirokastrës. “Dje vizituam kalanë e Gjirokastrës për të parë dhe njëherë nëse kishte masa për parandalimin e çdo lloj emergjence të mundshme, e cila do kishte pasoja fatale për kalanë dhe lagjen poshtë saj. U pa që dhe shënjuesit e xhamit të vëna së fundmi ishin thyer e vandalizuar, ata shënjues që do duhet të mbaheshin në monitorim të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm. Nuk po komentoj faktin që shënjuesit nuk duhet të ishin prej xhami, por prejskalimetri të cilët do të masnin çdo lloj lëvizje, as faktin që skalimetri duhej të shtrihej më gjerë në muraturë dhe jo aq ngushtë (për ta regjistruar lëvizjen në mënyrë dinamike të të gjashtë apo shtatë çarjet që ka kulla) dhe as mungesën e një izolimi të mirë të kreut të kullës për të mos lejuar depërtimin e ujit të reshjeve në muret e saj”, pohon Merxhani, postimin e të cilit e ka publikuar dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Në Facebook Merxhani shkruan se nuk ka asnjë të dhënë për lëvizjet dhe se si do të hartohet projekti. “Sigurisht situata aty, e shkaktuar dukshëm nga shkëputja e shkëmbit poshtë kullës, e sinjalizuar që më 1966 (1 vit pas themelimit të IMK-së) dhe e dhënë me alarm në 1996, 8, 2002, 2006, 2008, 2012, 2014.. 2016) do duhej të ishte në monitorim prej vet IMK-së si institucioni më i lartë teknik në sistemin e trashëgimisë dhe që jam i bindur që nuk ka asnjë të dhënë për këto lëvizje dhe nuk e di si do hartohet projekt detyra”, vijon më tej arkitekti. Në reagimin e tij Merxhani thotë se duhen marrë masa para se kulla të ketë fatin e urës së Hoshtevës. “Pavarësisht kësaj përgëzoj autoritetet që po lëvizin në drejtimin e zgjidhjes, por më duhet të përsëris dhe njëherë masat paraprake për ankorime dhe drenazhime korrekte të kullës përpara se sa ashtu si me urën e Hoshtevës të na ngelet projekti në dorë dhe monumenti të mos jetë më! Si konkluzion, asnjë mase paraprake nuk ishte marrë. Kjo e lë monumentin të ekspozuar ndaj riskut në çdo moment. Gjithashtu duhet thënë se zgjidhja konsoliduese nuk duhet të jetë pjesore, sepse problemi nuk është i tillë”, përfundon reagimi i arkitektit.