Specialistët: – Kishat të rrezikuara, po zhduken afresket, institucionet përgjegjëse të drejtuar nga inkompetentë

NGA JULIA VRAPI

18 JANAR 2020

Monumentet në vend janë në degradim, por institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore nuk kanë as specialistët e duhur. Mungojnë projektet dhe ndërhyrjet, që duhet për monumentet e kulturës, ku përballë atyre që publikon Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, sipas specialistëve që janë dhe zërat më kritikë shumë pak është bërë. Problem në vend mbeten dhe objektet e kultit monument kulture, ku sipas specialistëve të trashëgimisë kulturore afresket po zhduken. Arkeologu dhe studiuesi Neritan Ceka shprehet se ndër vite institucionet përgjegjëse janë drejtuar nga inkompetentë, duke mos pasur mundësi për përmirësimin e kësaj gjendje me probleme të monumenteve të kulturës. “Të gjithë monumentet janë në degradim. Janë dy a tre kisha, që është bërë një restaurim i strukturave ndërkohë, që afresket e kishave shqiptare po zhduken. Kemi humbur në këto dhjetë vitet e fundit kur Ministria e Kulturës në mënyrë tradicionale është drejtuar nga inkompetentë, dhe nga ku IMK është nxjerrë jashtë loje. IMK nga një institut shkencor është bërë një zyrë e tenderimeve për kompani private. Në fakt është një zyrë e privatëve në shtet. Kemi humbur disa mijëra metra katrorë afreske nga më të vlefshmet e kulturës sonë”, shprehet Ceka. Në reagimin e tij, profesor Neritan Ceka një nga zërat më kritikë për punën e institucioneve shprehet se edhe mungesa e rrjetit të kujdestarëve ndikon jo pak. “Kisha e Valshit nuk është restauruar, por janë marrë afresket dhe një pjesë që është shpëtuar çikërrima, sepse është Onufri. Ka vite që është hequr sistemi i rojeve. Ky sistem që kushtonte një minimum tani na ka kushtuar miliona. Vetëm shkatërrimi i afreskeve të Valshit është miliona euro pasuri dhe është hedhur në erë, ndërkohë që po të kishte një roje apo një çelës nuk do ndodhte. Në kisha të tjera përveç atyre, që i ka marrë në ngarkim kisha Autoqefale nuk po zgjidhet një problem i thjeshtë. Këto kisha i duhen rikthyer kishës Autoqefale, që duhet të marrë përsipër ruajtjen e strukturave, ndërkohë që shteti ruan pasuritë kulturore, ruan afresket, ikonat, ruan ikonostaset, ruan vlerat arkitektonike. Kjo është ndarja”, pohon Ceka. Sipas studiuesit dhe arkeologut Neritan Ceka kishat jo vetëm në Vithkuq, por në Përmet, Gjirokastër e më gjerë janë me shumë probleme. “Vithkuqi është në katastrofë, nuk ka vënë dorë njeri në kisha. Afër Vithkuqit është restauruar një kishë në 2005, që ishte në mrekullinë e vet, por që nga heqja e kujdestarëve i kanë shkatërruar afresket. Por dhe kishat e Gjirokastrës, Leskovikut, Përmetit, Korçës, Pogradecit janë në rrënim. Të kthehen specialistët në monumentet e kulturës”, shprehet profesor Ceka.

Puna dhe fondet

Arkitekti restaurator Kliti Kallama shprehet se në disa raste është e turpshme ajo, që dëgjon nga institucionet për punën në fushën e trashëgimisë kulturore. Sipas tij, kishat në vend janë të rrezikuara, ndërsa institucionet tregojnë problemin me fondet. “Kishat vazhdojnë akoma të jenë të rrezikuara, sado të thonë institucionet që kemi bërë, por asgjë nuk kanë bërë. Turp që dëgjova para disa ditësh në lajme, që paskan bërë një projekt për një kishë të Myzeqesë IMK, por thotë IMK që kërkojmë donatorë. Por turpi i dheut, harxhohen miliona me PPP dhe për të restauruar një kishë, thuhet që e kemi bërë projektin dhe nuk paskan fonde. Por këta as projektin nuk dinë ta bëjnë, sepse nuk kanë specialistë të mirëfilltë për të bërë projekte”, pohon Kallamata. Restauratori Adrian Çene shprehet se duhet që për objektet e kultit në vend të ketë më shumë kujdes dhe vëmendje. Sipas tij, edhe në ato raste kur specialistët janë, pyetja është a ka shteti para për ti dërguar në ekspedita në objektet e kultit. “Sigurisht që sot ka nevojë për ndërhyrje në këto objekte. Sot ka mungesë investimesh dhe ndërhyrjesh që duhen, ka mungesë vëmendje nga institucionet. Specialistët janë, por varet se sa i vë në punë shteti. Nëse ti si institucion i anashkalon specialistët dhe i lë në hije, normal që do të ketë probleme. Piktura murale në çdo fshat ka moskujdesje, sepse kërkon mirëmbajtje, do një vëmendje më të madhe, do të jesh prezent, kërkon dokumentacion se çfarë gjendje është”, pohon restauratori Çene. Objektet e kultit në vend që gëzojnë statusin monument kulture janë cilësuar si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, por sipas specialistëve puna që pohojnë institucionet është shumë pak me që kërkohet.

Gazeta Sot