Specialistët kritika për planin e menaxhimit të Bylisit: – Nuk kemi nevojë të ndërtohen baraka, propozoni plane të dështuara
8 Maji 2024
Nga Julia VRAPI
Planit i menaxhimit i parkut arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit u shoqërua me debate edhe në konsultimin e dytë publik në Tiranë. Shkak u bë çështja e transparencës së një pasqyre të qartë financiare investimi, ndryshimi i planit të menaxhimit nga ai që ishte hartuar më parë apo dhe mungesa e informacionit mbi shpenzimet që janë bërë deri tani nga fondi i dhënë prej 6 milionë euro nga BE. Arkeologu Neritan Ceka ndër të tjera tha se në Bylis duhet të ndërtohet muze dhe jo baraka. “Me habi shikoj që menaxhuesi ndryshon planin e menaxhimit.
Paratë janë për Bolonja a Bylis? Nuk e di ku i çoni paratë? Nuk kemi nevojë të na ndërtoni baraka në Bylis po muze….Të kenë më kujdes, ajo që na paraqitën është një punë studentësh”, tha Ceka. Ndër të tjera Ceka tha se vizitori në Bylis duhet të lexojë historinë përmes objekteve dhe jo ekraneve. “Synimi jonë është të ftojmë Delegacionin Evropian të mos investojë për letra. Nuk duam ekrane duam objekte. Kemi mbi 20 mijë objekte nga gërmimet arkeologjike. Vizitori duhet të lexojë historinë e Bylisit nëpërmjet objekteve dhe jo përmes ekraneve”, tha arkeologu Neritan Ceka.
Kritik ndaj draft projektit kishte edhe ish-drejtuesi i projektit “Bylis” në AICS, Tomorr Luzati, i cili ishte skeptik për ndryshimin e modelit të menaxhimit nga i drejtpërdrejtë publik në me fondacion, duke folur po ashtu për mangësi në specifikime financiare por edhe teknike, si dhe mospërputhje që në datim të projektit, që mbaron në dhjetor të 2024-ës ndërkaq që përmban menaxhimin edhe për vitin në fjalë. “Plani i prezantuar në Bylis në dëgjesën e parë ka ndryshime me këtë të dytën. Propozoj të bëhen edhe ndryshimet administrative dhe të shkoj plani aty ku të jetë transparent, për shpenzimet dhe realizimet siç kanë folur të gjithë arkeologët dhe specialistët”, tha Luzati. Në vitin 2019 qeveria e Shqipërisë ra dakord me Delegacionin Europian në Tiranë për një investim me vlerë 6 milionë euro në një periudhë 5-vjeçare për projektin e parkut arkeologjik Bylis. Por në këtë dëgjesë publike as përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e as nga Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Tiranë që ka hartuar draftin nuk dhanë një përgjigje konkrete për investimin prej 6 milionë eurove të Delegacionit Europian. “Këto janë pyetjet reale që duhet të diskutojmë. Janë tre shtyllat reale në planin e menaxhimit : 1) Restaurimi i monumenteve të parkut arkeologjik të Bylist dhe të qytetit antik të Klosit; 2) Pjesa e përmirësimit të infrastrukturës turistike, është qëndra multifuknsionale dhe muzeu; 3) Zhvillimi ekonomik”, u shpreh drejtuesi (“team leader”) i projektit “Bylis” nga AICS, Ilir Parangoni.
Plani me mangësi
Ndërsa për Auron Taren draftprojekti që u propozua ka mangësi. “Procesi i Bylisit, rreth 900 mije euro harxhuar dhe shohim këtë plan menaxhimi kaq të cekët e të mangët, ku nuk ka shpjegim mbi proceset e rëndësishme arkeologjike, të konservimit, etj. Ky plan është i mangët. Fakti që ju vini këtu propozoni një menaxhim të drejtpërdrejtë, po ato që ju propozoni janë plane të dështuara”, tha Tare ndër të tjera. Ndërkohë që deputetja e PD Ina Zhua solli në vëmendje se dosja e abuzimeve është dorëzuar më parë sipas saj nga profesor Neritan Ceka. “Ceka ka bërë dosje voluminoze si rast flagrant. Jam njohur me Bylisin përmes denoncimit të Neritan Cekës si një rast flagrant se si tjetërsohen paratë e dhëna nga BE. Ka 900 mijë euro të harxhuara në rroga, udhëtime, zyra dhe janë gati 6 milion euro për ta nxjerrë Bylisin në pah e për ta bërë një nga pikat më atraktive të Shqipërisë”, tha Zhupa.
Deputetja Zhupa nënvizoi si mangësi mungesën e një vizioni në këtë draft (sipas deputetes mund të realizohej më mirë nga studentët e saj) që parku i Bylisit të përfshihet në listën e pasurisë botërore në UNESCO. “Të kesh një projekt për Bylisin dhe të mos kesh një parashikim për përgatitjen e dosjes së parkut për t’u përfshirë në pasuritë botërore të UNESCO-s, kjo është e pajustifikueshme”, u shpreh Zhupa. Por zërat për një nismë koncensionare u hodhën poshtë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit . Sokol Duma zv. ministër i MEKI-t u shpreh se bëhet fjalë për një fondacion publik dhe jo privat.
Ngritja e një fondacioni të tillë të themeluar nga ministria, që sipas tyre mund të jetë me menaxhim direkt, e justifikuan për arsye vendimmarrje dhe dhënie më shumë hapësirë ekspertëve të fushës dhe institucioneve shkencore në vendin tonë. “Nuk do ta quaja koncesion. Thelbi i idesë së fondacionit ishte fondacion publik dhe jo privat ku pjesëmarrës dhe themelues do ishin ministria dhe institucionet shkencore si instituti arkeologjisë dhe akademia e shkencave”, tha Sokol Duma. Në vijim të diskutimeve shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri Hubert Perr, theksoi se ata e ndërmarrin këtë nismë për të asistuar vendin tonë, me një investim, që mund të bëhej edhe në vende të tjera. Menaxheri i projektit në Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Ilir Paragoni gjithashtu kundërshtoi zërat për tjetërsim të projekt-menaxhimit dhe tha se të gjithë sugjerimet do reflektohen në fazat e mëtejshme. Të tjerë të përfshirë në projekt në mbështetje të AICS dhe MEKI-t janë rajoni Emiglia-Romagna dhe Universiteti i Bolonjës, me institucione të tyre të specializuara.