Specialistët mblidhen brenda Teatrit Kombëtar, Maks Velo: Kush je ti, që do të na shembësh traditën?
Specialistët mblidhen brenda Teatrit Kombëtar, Maks Velo: Kush je ti, që do të na shembësh traditën?
26 shtator 2019
ANILA DEDAJ/ “Si mund ta zhdukësh këtë Teatër? Mos do të na shembësh të gjithë traditën? Ky Teatër, nëse përmirësohet, mund të jetë ndër më të mirët e Ballkanit.”
Maks Velo, prej sallës “Kadri Roshi” ku nisi të shohë që prej viteve ’50 shfaqjet e para teatrore, bëri thirrje që Qeveria të heqë dorë nga plani për të shembur këtë pasuri jo vetëm arkitektonike e kulturore, por edhe urbanistike. Të ftuar në këtë tryezë diskutimi ishin gjithashtu të tjerë arkitektë, urbanistë, inxhinierë, skenografë etj.
Arkitekti, pjesë e enciklopedisë botërore, në prag të ’85-tave, merr përsipër e konfirmon jetëgjatësinë e kësaj godine, që provat i kaloi me tërmetet e fundit. Ai foli gjithashtu për vlerat akustike, arkitekturën e skenografinë që deri më tani nuk i gëzon asnjë teatër tjetër në vendin tonë. Arkitekti Artan Raça, gjithashtu i pranishëm në këtë debat, pohoi i bindur qëndrimin e tij, duke u shprehur se: “Ky Teatër duhet të qëndrojë, ashtu siç janë restauruar shumë e shumë vepra të Luftës së Dytë Botërore. Ashtu siç është rindërtuar gjysma e Europës nga një copëz fotografie”. Po ashtu, skenografët Zahaj dhe Marku shpjeguan vlerat skenografike të këtij objekti, duke u ndalur edhe te rasti i Turbinës. Sipas Zahajt, ajo godinë as që nuk mund të quhet teatër.
VELO: KEMI DËSHTUAR NË TË GJITHË TEATROT QË KEMI BËRË!
Maks Velo u shpreh dje se specialistët e fushës mund ta kuptojnë më mirë, se sa e vështirë është të realizohet një godinë si ajo e Teatrit Kombëtar. Edhe pse për këtë objekt po flitet sikur mund të ndërtohet me lehtësi, sipas arkitektit, deri më tani, profesionistët kanë dështuar në të gjitha teatrot që kanë realizuar. “Një ekuivalente të tillë nuk e kemi bërë dot as në Teatrin e Shkodrës, as në të Vlorës, në të Sarandës etj., ku janë angazhuar arkitektët më të mirë. Jo se s’donin ta bënin, jo se s’kanë punuar, por ngaqë ne nuk e kemi traditë. Teatri ka një traditë mijëravjeçare në Perëndim. Ne e provuam me Turbinën. Bëmë një Turbinë, por nuk bëmë teatër. Dhe më e rëndësishmja është se prishëm atë institucion që ishte laborator i hidrocentraleve, se këtë po bën kjo Qeveri, prish një gjë dhe bën një gjë tjetër. Asnjëri nuk prish institucionet si laboratori i hidrocentraleve, që të bësh një teatër ‘skifo’. Pra, një kompleks të tillë ne nuk e bëjmë dot. Përpos kësaj, ka edhe anën urbanistike, kjo është një hapësirë që krijon një lehtësim, pasi kalon nga rruga pas ministrive. Pastaj ky teatër krijon edhe një komoditet për t’u futur në sallë, për ta përshkruar atë. Ka gjithashtu edhe akustikën, nuk depërtojnë zhurmat nga jashtë. Këtu nuk dëgjohet asnjë zhurmë. Dhe të gjitha këto kualitete vjen e i prish duke u justifikuar se është me pupulit etj., mirëpo Teatri nuk pësoi asgjë. Do të jetoj edhe 150 vjet të tjera, akoma më tepër nëse përmirësohet, mund të bëhet ndër teatrot më të mira të Ballkanit. Pastaj është dhe ana tjetër. Unë në këtë teatër kam parë shfaqje që në ’50-ën, si mund ta zhdukësh? Kush je ti? Do të na shembësh të gjithë traditën?”, u shpreh arkitekti.