Spektakël me regji qendrore. –  Pse Edi Rama e shndërroi Kongresin e PS në një Panair politik të Kotësive?

09.04.22

 Me dy ministra në burg, me një proces të ngecur integrimi, me naftën 2 euro litri dhe çmimet në stratosferë, me thellim të skajshëm pabarazie dhe pa një plan masazh antikrizë, kryeministri i prirur ndaj dukjes dhe formës, ngjan i shkëputuar nga realitetit. Ai ka krijuar realitetin e tij virtual.

Ajo që bënte përshtypje ishte një fotografi e stërmadhe e Fatos Nanos në sfond. Dihet se kryeministri i sotëm nuk ka ndonjë dashuri të madhe për paraardhësin e tij. “Robert Çakmçakizi” e quante dikur.

Po pse pati nevojë ta rithërriste sot, ish-kryetarin e PS i cili e ka lënë detyrën 17 vite më parë?

Ajo që ndodhi në orët më pas, shpjegon gjithçka.

Një Kongres partie, i organizuar në 5 panele të ndryshme, me traktorë në shesh, transmetim të njëkohshëm, paraqitje arritjesh, plane më shumë se 5-vjeçare, ekranë LED, regji qendrore, himn ukrainas. Çdo gjë në funksion të spektaklit. Maratona e sotme televizive i ngjante një “show” gjigand, me tapetë të kuq dhe yje Hollivudi. Mungonte vetëm Will Smith për të qëlluar me shuplakë  moderatorin.

Kongresi është mbledhja e forumit më të madh të një partie politike. Teorikisht duhet të jetë një hapësirë konsultimi, debati publik dhe jopublik për të saktësuar orientimin politik dhe ideologjik të një formacioni partiak. Por, me Edi Ramën, gjithçka është shfaqje, spektakël dhe përmbajtja e humb rëndësinë.

Edhe mbledhjen e Asamblesë së para pak ditëve e zhvilloi në mënyrë të pashpjegueshme në “Zoom”, duke mbajtur siç tha edhe vetë, fjalën më të shkurtër.

Në kulmin e skandalit të inceneratorëve, qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk ka një bilanc politik e moral që do të shndërronte organin më të lartë të PS, Kongresin, në një tribunë qëndrore prej nga ku ai do të ishte “dielli që do të ngrohte” me fjalimin e tij kulmor, socialistët dhe shqiptarët, në mes të krizës së çmimeve.

Dhe duke mos patur bilanc, mesazh dhe frymë për të përcjellë, Edi Rama iu fal sot spektaklit pa përmbajtje.

Me dy ish-ministra në burg, me një proces të ngecur integrimi, me naftën 2 euro litri dhe çmimet në stratosferë, me thellim të skajshëm pabarazie dhe pa një plan masazh antikrizë, kryeministri i prirur ndaj dukjes dhe formës, ngjan i shkëputuar nga realitetit. Ai ka krijuar realitetin e tij virtual.

Mjafton t’u hedhësh një sy fjalimeve të ministrave dhe drejtuesve kryesore të PS, për të kuptuar se ato mund të mbaheshin kudo dhe kurdo. Tekst pa bosht dhe retorikë boshe.

Propagandë e një kohe tjetër.

Spektakli i sotëm mund të jetë çfarëdo, ndoshta dhe panair politik, por vetëm Kongres jo. Duke u shndërruar në sytë e shqiptarëve që janë në punët e tyre dhe në qejfet e fundjavës në një Panair të Kotësive.

Gazeta Shqiptare