Statuja e Budës e gjetur në Australi mund ta ndryshojë historinë
11 Mars 2023
Origjina e statujës 15-centimetërshe, e vërtetuar si autentike në “Antiques Roadshow” e BBC-së vazhdon të mbetet mister. A mund ta kenë lënë atje eksploruesit kinezë në shekullin XV, është dilema që shtrojnë ekspertët
Në vitin 2018, një grup filmbërësish australianë po bënin vrapime me ca detektorë metali në Australinë e largët Perëndimore, teksa përgatiteshin të xhironin një dokumentar rreth eksplorimit francez të Australisë. Filmi parashihej të shfaqte një kërkim për pajisje shkencore që besohet se ishin lënë në atë zonë nga ekspedita Baudin e viteve 1800-1803.
Nuk kishte asnjë gjurmë të eksplorimit të epokës së Napoleonit, por ajo që ata gjetën ishte diçka ndoshta edhe më e pazakontë.
Ishte një figurë prej bronzi e Budës, e gjatë 15 centimetra e që peshonte pak më shumë se 1 kilogram dhe – sipas ekspertëve – ka të ngjarë që është punuar në Kinë qindra vjet më parë.
Në vitet pas gjetjes së tyre në vitin 2018, kineastët Leon Deschamps dhe Shayne Thomson kanë punuar për të zbuluar misterin se si figura përfundoi në një rrugë në Gjirin e Peshkaqenëve. Ata besojnë se Buda mund të jetë një e dhënë që mund ta rishkruajë historinë, duke sugjeruar potencialisht që eksploruesit e dinastisë Ming vizituan Australinë qindra vjet më parë.
Me shpresën për të mësuar më shumë rreth këtij objekti, në shfaqjen televizive britanike, “Antiques Roadshow”, dyshja kërkoi këshilla nga ekspertët.
Në një episod që u shfaq në Mbretërinë e Bashkuar të dielën, eksperti i artit aziatik, Lee Young, drejtor i ankandeve “Dore dhe Rees” në Somerset, konfirmoi se ajo ishte bërë gjatë dinastisë Ming të Kinës dhe e shpalli atë një “thesar botëror”.
“Le ta sqarojmë menjëherë. Po, është Ming”, ka thënë Young. U nxor gjatë ceremonisë së festimit të ditëlindjes së Budës, kjo është arsyeja pse ai portretizohet si ‘Buda i mitur’”.
Sipas Young-ut, figura do t’i përkiste “dikujt me reputacion në atë kohë”.
Young ka thënë se kjo skulpturë e dinastisë Ming ishte vlerësuar me një çmim i cili shkonte nga 3000 deri në 5000 dollarë. Por lokacioni ku u gjet e bën atë “historikisht tepër të vlefshëm” dhe ai nuk do të habitej nëse në një ankand të shitjes, çekani i gjyqtarit do të binte pasi të dëgjohej shifra prej 100.000 dollarësh “sepse është e vetmja që ka një histori të tillë”.
Eksperti Ian MacLeod, i cili ka ekzaminuar mbi 35 mijë objekte bronzi për muzeun, ka konfirmuar nëpërmjet analizës mikroskopike se Buda ishte “pa dyshim autentike”. MacLeod ka zbuluar se Buda kishte zënë vend në vendin ku u zbulua diku rreth 100- 150 vjet më parë, dhe se ishte përdorur për një kohë të caktuar, përpara se të “varrosej” e që përkon me kohën e hershme të periudhës së Mingëve.
Deschamps ka thënë se Buda mund të ketë mbetur mbrapa nga flota e thesarit të dinastisë Ming të vitit 1421, e cila ishte dërguar nga perandori i tretë i Mingëve në një shfaqje të fuqisë kineze. Shtatë ekspedita të bëra nga qindra anije që udhëtonin përgjatë Azisë Juglindore – duke arritur madje edhe brigjet e Afrikës – por nuk ka ndonjë dëshmi që dokumenton se ata kishin mbërritur në Australi.
Shumica e historianëve thonë se nuk ka mundësi që anijet kineze të kenë vizituar Australinë gjatë periudhës së dinastisë së Mingëve – e cila do të ishte disa qindra vjet përpara ekspeditës së parë evropiane të vitit 1600.
Jocelym Chey, ligjërues në Departamentin e Studimeve Kineze në Universitetin e Sydneyt, ka thënë se edhe nëse flota e thesarit kinez do ta kishte vizituar ndonjëherë Australinë, është e pamundur që ajo ta ketë vizituar zonën Gascoyne të Australisë Perëndimore.
“Nuk do të thotë se për shkak se ajo është 500 vjet e vjetër, ka ardhur këtu 500 vjet më parë”, ka thënë Chey. “Pavarësisht se kur ka ardhur, duhet të jetë objekti më i vjetër (kinez) që është zbuluar në Australi. Kjo, pas konfirmimit të vërtetësisë së saj ”Paul Macgregor, historian dhe kurator i “Our Chinese Past Inc”, ka thënë se ai beson se dy skenarët më të mundshëm janë se objekti ka arritur me peshkatarët apo kërkuesit kinezë të perlave në vitin 1870 ose që është lënë nga dikush si rreng. Macgregor ka thënë se aty nuk pati ndonjë dëshmi të flotës së thesarit të dinastisë Ming në Australi.
Ai ka thënë se çdo dëshmi e origjinës së Budës duhet të publikohet në mënyrë që të mund të testohet nga ekspertë të tjerë. Deschamps ende nuk ka gjetur një shtëpi për Budën. Muzeu detar WA nuk donte ta ekspozonte atë kur kineastët ua dërguan atyre.
“Objektet e shenjta u përkasin komuniteteve për të cilat janë të shenjta”, ka shkruar Deschamps në një deklaratë në emër të tij dhe të Thomson-it. “Ne nuk e konsiderojmë veten pronarë të ‘Budës se mitur’, por përkundrazi kujdestarë dhe kemi bërë të pamundurën për t’i treguar këtij objekti të shenjtë respektin që meriton”.
Deschamps ka thënë se kompania filmike ka shpenzuar të paktën 50 mijë dollarë për udhëtime, kërkime laboratorike dhe intervista me shkencëtarë dhe akademikë që përpiqen të arrijnë në fund të origjinës së objektit.
“Shpresojmë që Qeveria australiane të punojë me komunitetin kinez dhe me kujdestarët vendas indigjenë për të bashkëfinancuar një gërmim arkeologjik në vend i cili ndihmon në hetimin e mëtejshëm të origjinës së Budës”, ka shkruar Deschamps.
Ai ka thënë se ata kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për t’u konsultuar me policinë, qeverinë lokale dhe atë shtetërore, muzeun detar WA, organizata të ndryshme kineze, arkeologë australianë dhe pleq vendas indigjenë.