Studentët e UBT në këmbë drejt qendrës së Tiranës, ndalen te Ministria e Arsimit:- Do jemi para Kryeministrisë!
Studentët e UBT në këmbë drejt qendrës së Tiranës, ndalen te Ministria e Arsimit:- Do jemi para Kryeministrisë!
– 11.03.22
Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë bllokuar rrugën dhe po marshojnë drejt qendrës së Tiranës për të protestuar për rritjen e çmimit të naftës.
Me thirrjet “UBT proteston”, “ngrihuni nga kafja”, ‘fikni makinat’ ata janë drejt qendrës së kryeqytetit.
Fillimisht, studentët janë ndalur tek Ministria e Arsimit. Në hyrje të rrugës së Durrësit, në zonën e “Zogut të Zi” njëri prej tyre është përplasur me policinë duke i kërkuar llogari pse nuk i lejojnë studentët të kalojnë.
Ai i kërkoi efektivit t’i lejojë protestuesit të ecin në drejtim të qendrës duke deklaruar se nuk proteston vetëm për të drejtat e tij por edhe të vetë policëve.
“Mos më prek me dorë. Pse më keni rrethuar. Jam kriminel? Thojani atij në krye te qeverisë3. Ata po na vjedhin. Ne do marshojmë për të drejtat tona dhe tuajat. Na lini të kalojmë rrugën. Pse po na ndaloni”, tha ai.
Një prej studentëve protestues gjatë fjalës së tij para Ministrisë së Arsimit tha se të rinjtë e kanë lakun në fyt. Ai tha se rritja e çmimeve është bërë e papërballueshme.
“Ne u ndalëm këtu, se nuk na janë plotësuar kërkesat tona. Na kanë vënë lakun në fyt, duke na rritur çmimin e urbanit, të bukës, të energjisë. Është e papërballueshme. Kjo është ministria e ç ‘arsimit, e turpit!”, tha i riu.
Fill pasi lëshuan disa mesazhe, studentët i janë drejtuar qendrës së Tiranës, ndërsa po shoqërohen nga forca të shumta policie.
Gjatë marshimit studentët e Universitetit Bujqësor kanë bllokuar për disa minuta nënkalimin te Kthesa e Kamzës, duke lënë në radhë edhe një makinë të forcave ‘Shqiponja’.
“Kështu e pamë të arsyeshme. Thirrjet tona i drejtohet institucioneve. Nuk jemi ne në luftë, është Ukraina” – tha një student.
“Ideja është se kemi dalë për shumë gjëra, produkteve që i konsumojmë. Ne jemi studentë, meqë nuk punojmë, ato çmime dhe ato lekë ne na i japin të shtëpisë. Jemi të detyruar të protestojmë për të drejtat tona. Thirrjet tona i drejtohen kryeministrit” – tha një studente tjetër.
Ndërkohë shoferët i janë bashkuar simbolikisht duke i rënë borive të mjeteve. Gjithashtu edhe qytetarë janë solidarizuar duke protestuar së bashku me studentët.
Vetë studentët kanë deklaruar se jetesa po bëhet e padurueshme, për shkak të rritjes së çmimeve në shumë produkte, e padyshim dhe atë të karburanteve.
Qendra e kryeqytetit ka qenë pika e përfundimit të marshimit të studentëve të Bujqësorit i cili nisi paraditen e sotme nga Instituti.
Ata kanë deklaruar për mediat se do të presin për të marrë një vendim ndërsa në orën 17:00 do të bashkohen me protestuesit para kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.
“Shkoni te konviktet e qytetit student. Ne do mblidhemi kështu përkohësisht për disa minuta. Në orën 17:0 do jemi te kryeministria. Sot nesër dhe çdo ditë”, shprehet njëri prej tyre”, tha studenti.
Ndërkohë një tjetër studente u shpreh se nuk arrijnë të përballojnë dot standardin e jetesës edhe pse punojnë 8 orë në ditë ndërsa shtoi se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveçse të luftojnë për atë që kanë arritur deri tani.
“Sot në orën 5 do jemi sërish te kryeministria për të protestuar. Ne mësimin po e lëmë. Ne të penalizuar jemi. Ne jemi çdo ditë 8 orë në punë. Kur ne punojmë na duhet të heqim dorë nga shumë leksione. Ne ose duhet të kthehemi andej nga kemi ardhur ose duhet të luftojmë për të mbajtur atë që kemi arritur. Tani po bëjmë një bashkëbisedim me studentët”, tha ajo.
Prej tre ditësh qytetarët janë ngritur në protestë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe të produkteve të shportës.
Një ditë më parë thuajse e gjithë Shqipëria u ngrit në protestë paqësore pikërisht duke kërkuar nga qeveria uljen e çmimeve që po e bëjnë jetesën e qytetarëve të papërballueshme.
Gazeta Shqiptare