Studentët thirrje pedagogëve: Të bashkohen me ne në protestë. –
Studentët thirrje pedagogëve: Të bashkohen me ne në protestë. –
19 Janar, 2019
Pavarësisht Draft-Paktit të prezantuar një ditë më parë nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, studentët shprehen të vendosur në protestën e tyre dhe të bindur për bojkotimin e mësimit. Përmes një deklaratë për mediat, përfaqësues nga protesta e studentëve, i bëjnë thirrje pedagogëve t’i bashkohen ‘fizikisht’ qëndresës së tyre.
“Në vijueshmëri të protestës studentore dhe zhvillimeve të ndodhura këto ditë duam të sqarojmë gjithë opinionin publik dhe studentët se: Së pari, ne si studentë nuk jemi tërhequr nga beteja jonë kryesore për një arsim cilësor. Së dyti, aktualisht ndodhemi në një moment kyç të protestës sonë dhe jemi në pritje të pedagogëve që përtej deklaratave dhe inkurajimeve verbale që na japin, të na bashkohen edhe fizikisht në protestë dhe bojkot të procesit mësimor deri në plotësimin real të kërkesave tona. Universiteti është i studentëve dhe pedagogëve bashkë”, shprehen studentet.
Ndërkaq pak kohë më parë, kanë qenë vetë pedagogët ata që kanë paralajmëruar protesta nisur nga e hëna.