Studimi i pikturave murale të periudhës romake të zbuluara në Durrës
22 Janar 2023
Në vitin 2022 filloi një projekt studimor në bashkëpunim mes Institutit Arkeologjik të Shqipërisë i përfaqësuar nga prof. as. dr. Eduard Shehi dhe Institutit Arkeologjik të Universitetit të Këlnit (Gjermani) përfaqësuar nga prof. dr. Renate Thomas, me ndihmën financiare të Fondacionit Fritz Thyssen, për studimin e pikturave murale të periudhës romake të zbuluara në Durrës.
Akademia e Studimeve Albanologjike shkruan se bëhet fjalë për një sasi jo të pakët fragmentesh të pikturave murale të një cilësie shumë të lartë. ASA thotë se së pari me ndihmën financiare të fondacionit Thyssen u punua për të sistemuar fragmentet e sfreskut në mbi 100 arka druri specifike për këtë qëllim, ku mund të ruhen të sigurta. “Janë në proces sistemimi edhe 30 arka të tjera me fragmente afreskesh. Fragmentet janë gjetur përgjatë gërmimeve të shpëtimit në pesë zona të ndryshme të Durrësit, përgjatë viteve 2001-2005. Filluam së pari përpunimin e afreskeve nga një gërmim i vitit 2005, në vendgjetjen e mozaikut me meander.
Nga më shumë se 3000 fragmente mund të dallohen deri më tani të paktën katër sisteme dekorimi të ndryshme”, thuhet nga ASA që ka publikuar dhe disa foto shpjeguese në faqen e saj.
Sipas ASA-s, kemi një sistem me kombinim të ngjyrave të kuqe dhe të zezë; një sistem i dytë me kombinim të ngjyrës së kuqe; një tjetër me kombinim të ngjyrës së verdhë (fig. 1) dhe sfond të bardhë me kurora frutash, shandanë, zogj dhe elementë florealë; dhe së fundmi një sistem i krijuar me zbukurime në një qemer të pikturuar me një skemë ornamentale me gjysmërrathë. “Më mbresëlënëse është dekorimi me panele kuq e zi ku pikturohen Kupidë fluturues (fig. 2), dhe hapësira më të vogla në ngjyrë të zezë me kurora të ndërthurura. Ky model dekorimi mund të datohet në çerekun e fundit të shek. I e.s. Ndërsa dekorimet e tjera janë të mëvonshme, ndoshta të datuara në gjysmën e parë të shek. II e.s.”, thuhet nga ASA. Sipas Akademisë së Studimeve Albanologjike, studiuesit janë duke punuar për të realizuar një rikrijim kompjuterik në photoshop për secilën faqe muri prej të cilave ruhen ende fragmentet e afreskeve.