15 Dhjetor 2024

Ozempic, medikamenti kundër diabetit, i shndërruar në një trend botëror për shkak se ndihmon në humbjen e peshës, mund të shkaktojë dëmtime në shikim.

Një studim i fundit, sipas revistës Bloomberg, tregon se personat që e përdorin, ka gjasa të diagnostikohen me një sëmundje të rrallë që shkakton humbjen e shikimit në njërin sy.

Disa pacientë që kishin përdorur Ozempic dhe që iu nënshtruan studimit, treguan se kishin një zonë të errët, ose një hije në vizionin e tyre që prek gjysmën e sipërme ose të poshtme të fushës së tyre vizuale.

Ozempic përdoret edhe në Shqipëri, ndonëse ai nuk tregtohet nëpër farmaci. Mjekët thonë se ka një kërkesë të lartë nga personat që duan të humbin peshë.

Janë një grup pacientësh që janë me diabet dhe duan që ta përfshijmë në skemën e trajtimit pasi kanë parë dhe e kanë dëgjuar nga të tjerët për këtë efekt/benefit, që ka ky medikament për rënien në peshë”, thotë endokrinologia Edlira Hoxha.

Ozempic dyshohet se mund të shkaktojë edhe efekte të tjera anësore, veç dëmtimit të shikimit.

“Ne nuk e rekomandojmë tek pacientët obezë për shkak të efekteve anësore. Ka edhe efekte anësore më të rënda, që janë pankreatidet dhe ka një risk të larët për kancerin e tiroides”.

Megjithatë, Bloomberg thotë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse Ozempic nuk është miratuar nga Agjencia Amerikane e Barnave, ai po përdoret në masë dhe ka ndikuar në uljen e epidemisë së obezitetit.

Në vitin 2023, niveli ra nga 44.1 në 43.96 përqind, që, ndonëse është ulje e lehtë, studiuesit e konsiderojnë si shumë domethënëse.

Gazeta Dita