Studimi: Spitalet e Shqipërisë po e përballin Pandeminë me mungesa të shumta në mjekë dhe pajisje
Studimi: Spitalet e Shqipërisë po e përballin Pandeminë me mungesa të shumta në mjekë dhe pajisje
Nga OraNews
Në Tiranë, Organizata Together for Life publikoi një raport mbi standardet minimale që u nevojiten spitaleve për të përballuar pacientët me COVID-19.
Nga monitorimi në 57 spitalet publike dhe private u zbulua një seri mungesash në stafe dhe në pajisje mjekësore gjatë pandemisë Covid.
Raporti theksoi se spitalet e Shqipërisë kanë aktualisht 31 shtretër për 10 mijë banorë dhe 1 mjek për 1 mijë banorë.
Në raportin e organizatës Together for Life theksohet se burimet njerëzore në shëndetësinë shqiptare janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë.
“Përqëndrimi drejt spitaleve të kryeqytetit i gjithë menaxhimit të pandemisë i stërmundoi pacientët nga gjithë vendi si dhe mjekët e kryeqytetit. Monitorimi nxori se mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe Durrës, ndërsa në spitalet e largëta ata janë shumë të pakët” – thotë Denisa Canameti, përfaqësuese e organizatës Together for Life.
Sipas raportit, spitali me më shumë specialistë është ai i Durrësit, ndërsa spitalet me më pak specialistë janë në Dibër, Kukës dhe Gjirokastër.
Spitalet e Kukësit dhe Gjirokastrës kanë mungesë të mjekut infeksionist. Spitalet e Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit raportojnë praninë e vetëm një pneumologu.
Spitalet e Beratit, Dibrës dhe Gjirokastrës kanë vetëm nga një reanimator, çka e bën të vështirë përkujdesin e specializuar, thuhet në raportin e organizatës Together for Life.
Përqëndrimi i gjithë vëmendjes tek Pandemia Covid prishi sistemin e menaxhimit të sëmundjeve kronike, thuhet në raport. Gjatë pandemisë në spitale janë vënë re pamjaftueshmëria e mjekëve dhe e shtretërve, mungesa e mjediseve të posacme për pacientët me Covid, mungesa e një protokolli të unifikuar për parandalimin e përhapjes së infektimit, një numër i kufizuar i pajisjeve të terapisë intensive dhe respiratorëve, si dhe mungesa e pajisjeve të lëvizshme për frymëmarrjen, që të sigurohej transporti i pacientëve me Covid.
Në raport veçohet se Asnjë spital nuk ka impiant oksigjeni të tijin me qëllim plotësimin e nevojave të rritura dhe sidomos spitali i Kukësit, i cili nuk ka asnjë infrastrukturë për gazrat mjekësorë, çka e bën këtë spital të papërshtatshëm për trajtimin e pacientëve me covid-19.
Në raport theksohet se reduktimi i përhapjes së infeksionit në spital është një nga pikat e dobëta të tyre në menaxhimin e pandemisë Covid 19.
Sipas monitorimit, vetëm 5 spitale kanë krijuar mjedise të ndara për stafin mjekësor dhe pacientët.
Në spitalet rajonale të planifikuar për pavionë COVID, shtretërit ishin të pamjaftueshëm të përballonin numrin e pacientëve, që kishin nevojë për trajtim reanimator.
Monitorimi vërejti se vetëm 5 spitale kishin respiratorët mekanikë të lëvizshëm për transportin e pacientëve drejt spitaleve COVID, dhe këto pajisje nuk i kanë spitalet në Dibër, Lezhë dhe Gjirokastër.
Po ashtu edhe mungesa e ventilatorëve të lëvizshëm e bën të vështirë transferimin e pacientëve në gjendje kritike, ndaj këto spitale, edhe pse të planifikuar për pavione COVID, nisin drejt spitaleve COVID në Tiranë çdo pacient, pavarësisht nga niveli i prekjes së mushkërisë prej infeksionit.
Nga marsi I vitit të kaluar dhe deri sot gjatë 20 muajve nga Covid-19 humbën jetën 2 mijë e 718 qytetarë shqiptarë, edhe janë ende 8 mijë 655 raste aktive me këtë sëmundje./ VOA/