Studiuesi Matjan – Dilaver Kurti.
DILAVER KURTI u lind në Burrel më 19 tetor 1934 në një familje autoktone. Mësimet fillore i kreu në Klos dhe Lis me rezultate të shkëlqyera. Më pas bën punë të ndryshme në Burrel, ku gjatë kësaj kohe kryen dhe studimet e mesme. Studimet e larta i kreu pa shkëputje nga puna në vitet ’70 në degën Histori-Gjeografi të Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës.
Që nga fundi i viteve ’50, duke lëvizur nga njëra zonë e Matit në tjetrën, mbledh nga goja e popullit dukuri folklorike dhe etnografike, fjalë të rralla, pjesë të së drejtës zakonore, si dhe të dhëna historike, të cilat filloi t’i publikojë në mesin e viteve ‘60 në periodikët e kohës dhe buletinët shkencorë.
Në fund të viteve ’60 me nisiativën dhe punën e tij u arrit të çelet muzeu i parë në Mat, ku vend të rëndësishëm zinin objektet arkeologjike të kulturës ilire të Matit të mbledhura me përkushtim prej tij.
Në vitet ’70 bëhet njëkohësisht bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, Institutit të Kulturës Popullore dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke u afirmuar si arkeolog, etnograf dhe historian dhe duke botuar në organet e këtyre instituteve përfundimet e studimeve të tij.
Gërmimet arkeologjike me parametra shkencorë të viteve 70-’80 në Burrel, Suç, Midhë, Komsi, Batër etj, të drejtuara nga ai, plotësuan hartën arkeologjike të Matit dhe hodhën dritë mbi kulturën ilire si parardhëse e kulturës arbërore.
Duke ecur pa u lodhur nëpër luginën e Matit dhe malet historikë që e rrethojnë ai identifikoi kalatë ilire dhe mesjetare të kësaj treve, shkruajti për varrezat shkëmbore ilire, kulturën e hershme antike dhe mesjetare shqiptare, kishat ku u mbajtën kuvende të rëndësishëm mesjetarë, identifikoi Shën Trininë e Formulës së Pagëzimit, publikoi rëndësinë e qyeteve të Kastriotëve në Mat-Stelushin dhe Petralbën, urat e gurta në Mat, traditën e organizimit blegtoral-madrën, zejen e prodhimit të barutit, veshjet popullore, banesën popullore tip kullë dhe shtrirjen e saj në Mat, traditat popullore, legjenda e histori për figura që lanë gjurmë në jetën e Matit e më gjerë. Me dhjetra studime të tij, dëshmi dokumentare e materiale, si dhe mbledhje folklorike, hedhin dritë mbi lidhjet e fisit të Kastriotëve me trevën e Matit dhe kalatë e tij mesjetare.
Dilaver Kurti u nda nga jeta më 28 nëntor 1998, duke lënë edhe shumë materiale të tjera studimore, të cilat u botuan nën kujdesin e fëmijëve tij, si: “Trashëgime iliro-arbërore” 1999, “Shënime etnografike nëpër Mat” 2004 dhe “Folklor nga Mati” 2014.
Për nder të punës dhe përkushtimit të tij, më 1999 këshilli i Bashkisë Burrel i dha titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes), nga viti 2004 një rrugë në qytetin e Burrelit mban emrin e tij, ndërsa më 2006 një grup intelektualësh matjanë kanë ngritur Shoqatën Historike-Kulturore “Dilaver Kurti”, ndërkohë që qindra shkrime studimore të revistave shkencore dhe periodikë të kohës ende vazhdojnë të jenë shkrimet më të sakta dhe me mbështetje shkencore për ata që duan të studiojnë mbi historinë dhe etnokulturën e trevës së Matit.
Dilaveri njihet dhe me mbiemrin Dilaver Kurti – Kola.