Studiuesja Ruse qe riprodhaj 32 afreska. Nder to edhe nga Kisha e Va Dejes qe nuk ruhet ma.
Nga: Dhorjela Çule
Veprimtaria kërkimore e Viktori Puzanovës lidhet me studimin e ikonave dhe
të ikonografisë shqiptare duke u përqëndruar në vlerësimin e rëndësinë e
tyre si pjesë e rëndësishme e kulturës dhe historisë shqiptare dhe duke
hedhur bazat e para për studimet e mëtejshme të bizantologjisë në vendin
tonë.
Janar, 2018.
32 punime, afreske dhe ikona të studiueses ruse, të cilat janë riprodhime
të veprave të artistëve më të njohur të periudhës bizantine janë ekspozuar
për herë të parë në ambientet e Muzeut të Artit Mesjetar të Korçës. Me
rastin e 50 vjetorit të vdekjes së znj. Viktori Puzanova, e cila dha një
kontribut të vyer në studimin e artit mesjetar në Shqipëri, Instituti i
Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, kanë
organizuar një ceremoni përkujtimore. Mes punimeve të saj gjenden të
riprodhuara edhe një pjesë e veprave të emrave më të njohur të ikonografisë
shqiptare, të pothuaj të gjitha kishave të vendit, disa prej të cilave sot
nuk ekzistojnë më ose janë degraduar.
Puzanova, e cila vuri themelet e bizantologjisë shqiptare, përpos
studimeve, ka riprodhuar një pjesë të mirë të afreskeve nga Kisha e Shën e
Premtes në Voskopojë, Kisha e Vaut të Dejës që nuk ekziston më as si objekt
kulti, duke ruajtur kështu vlera të papërsëritshme dhe dëshmi unike të
kësaj trashëgimie.
“ Sot me mirënjohje nderojmë këtë figurë, e cila ka dhënë një kontribut të
vyer për ruajtjen e gjurmëve kulturore ikonografike Shqiptare. Gjatë
aktivitetit të saj në Shqipëri, Viktori Puzanova ndërmori një sërë
ekspeditash në të gjitha anët e vendit dhe si rezultat arriti të shkruante
e botonte një seri artikujsh në revistat shkencore si dhe realizoi kopjimin
e 32 afreskeve, të cilat ruhen sot në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë dhe në
Galerinë Kombëtare të Arteve.”- tha Arta Dollani, drejtoreshë e Institutit
të Monumenteve të Kulturës.
Maks Velo botues i nje monografije per Puzanoven, dhe ka rregulluar varrin e qiftit Puzanova, qe nuk lane pasardhes.
Për kuratorin e ekspozites, Maks Velo, kontributi i Puzanovës për kulturën
shqiptare është i jashtëzakonshëm. “Ajo themeloi Sektorin e Artit Bizantin
Shqiptar dhe promovoi vlerat e ikonografisë Shqiptare. Viktori
Puzanova, dekania e bizantologjisë shqiptare, jetoi dhe punoi për më shumë se
20 vite në vendin tonë, duke i dhënë trashëgimisë sonë kulturore dhe
historike 7 vepra studimore për artin dhe artistët bizantinë.”
Kush eshte Viktori Puzanova
Viktori Puzanova (Valc) 1893-1967. Lindi në Rostov mbi Don (Rusi), studioi për arte në Shën Peterburg. Mbas revolucionit bolshevik të tetorit largohet nga Rusia, sëbashku me burrin Vasilin oficer i Carit. Punon si bizantologe në Sërbi. Para fundit të Luftës së Dytë Botërore futet në Shqipëri dhe jeton për disa kohë në Shkodër. Më vonë ajo merr edhe nënshtetësinë shqiptare. Në 1948 themelon sektorin e artit mesjetar pranë Institutit të Shkencave. Studioi Artin Bizantin dhe Post-Bizantin Shqiptar. Punimet e saj hodhën themelet e bizantologjisë në vendin tonë.
Në Institutin e Shkencave, Viktori Puzanova pati rastin që të merrej me disa ekspedita për kishat të Shqiperisë si në Valsh dhe Shestan të Shpatit, në Pojan të Apolonisë dhe në Zvërnec të Vlorës, në bregdetin e Himarës, në kishën e Mesopotamit të Sarandës, në Berat dhe në Voskopojë. Ndërkohë, ajo botoi studimet e para të cilat patën karakter themelonjës për shkencën e ikonografisë. Puzanova ka bashkëpunuar edhe me mesjetarologët e famshëm Theofan Popa dhe Dhorka Dhamo.Ajo gjithashtu ishte edhe një piktore, aftësi të cilën e tregoi edhe me kopjimin e disa prej ikonave më të spikatura së artit ikonografik në Shqipëri. Disa prej punëve të saj ndodhen edhe në koleksionet private si edhe në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës.
Janar 2018.