Stuhia dëmtoi çadrat, të pastrehët e tërmetit në mëshirë të acarit

Disa dhjetra familje që strehohen në çadra që prej tërmetit të vitit që shkoi në Qarkun e Lezhës, thonë se janë në rrezik për jetën ndërsa çadrat nuk ndihmojnë në temperatura disa gradë nën zero.

Nga Elvis Hila

Natën e 13 shkurtit familja Veseli në Fushë-Milot u detyrua të luftonte me dëborën dhe erën, e cila u shkatërroi çadrën në të cilën strehohen që prej tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

“Çadrën na dëmtoi era e fortë dhe gjithë natën e kemi kaluar zgjuar në mes të acarit. Jemi munduar ta riparojmë vetë, por dua të them se po klaojmë një situatë mjaft të vështirë”, thotë Etleva Veseli, e cila jeton në çadër me të shoqin dhe pesë fëmijët, me e vogla një vajzë 10 vjeç.

Veseli tregon se vajza e vogël iu sëmur dhe është e ftohur, ndërsa ata janë të detyruar të jetojnë në çadër në temperatura që shkuan të hënën në minus 10 gradë celcius.

Sipas të dhënave zyrtare në Bashkitë Lezhë dhe Kurbin rreth 30 familje jetojnë në çadra apo kontenier, që prej tërmetit të fund vitit 2019. Ato janë përballur me motin ekstrem të këtyre ditëve në çadra, ndërsa procesi i rindërtimit nuk ka filluar ende dhe shumë prej famijeve kanë humbur shpresat.

Tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë e Mesme më 26 nëntor u mori jetën 51 viktimave dhe plagosi qindra të tjerë. Vala shkatërrimtare e goditjes, e cila u ndje në mënyrë të veçantë në Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Kurbin, shkatërroi qindra ndërtesa, duke lënë të pastrehë disa mijëra banorë.

Pjesa më e madhe e familjeve të  mbetura në çadra edhe pse përfitojnë bonusin e qirasë, nuk mund të largohen nga fshatrat për shkak se e kanë jetesën të lidhur me bujqësinë dhe blektorinë.

“Të paktën në këto ditë të ftohta kërkojmë që të na gjendet një vendstrehim ku të jemi të sigurt, pasi në këtë situatë po na rrezikohet seriozisht jeta. Punën e rindërtimit e kanë harruar fare dhe askush nuk po interesohet për ne”, thotë Etleva Veseli, ndërsa përpiqet të mbyllë anët e çadrës nga ku mund të hyjë era.

Situatë të ngjashme ka edhe familja Murati po në Fushë-Milot. Të vendosur në çadër që prej tërmetit jetesa në këto ditë acari është bërë mjaft e vështirë.

“Çadra është grisur nga era dhe dëbora na ka hyrë brenda. Po kalojmë një situatë mjaft të vështirë nga i ftohti dhe askush nuk është interesuar për ne”, thotë Tahir Murati.

Burri thotë se ka në shtëpi fëmijë të vegjël dhe nënën 91-vjeçe, të cilët e kanë shumë të vështirë të përballen me të ftohtin.

Dëshira Murati, e zonja e shtëpisë i ka humbur shpresat se dikush do kujtohet per ta, pasi ka muaj që e kanë bërë gati banesën që të shembej dhe ende nuk ka nisur proçesi. Duke mos patur shpresë se qeveria do kujtohet për t’i ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë së shembur, e zonja e shtëpisë apelon qe dikush t’i vijë në ndihmë duke i siguruar të paktën një kontenier, që mund të ndalojë erën.

foto banesa dhe-cdara e familjes murati

“E kemi bërë gati shtëpinë prej 1 viti për shembje, por po na mbajnë me gësnjeshtra”, thotë Dëshira Murati.

Qeveria u zotua për rindërtim të shpejtë të banesave të dëmtuara, por siç ka gjetur BIRN në një investigim të mëparshëm procesi është zvarritur, ndërsa pandemia e COVID-19 ka ndërlikuar edhe më shumë situatën.

Nga: Reporter.al