Stuhia e fortë ‘pushton’ Beratin, rrufeja shkakton zjarr, digjet një sipërfaqe me shkurre e bimësi
19 Korrik 2024
Dy zjarre të njëpasnjëshëm kanë rënë sot në Berat. Zjarri i parë u shfaq në lagjen “Uznovë e madhe” në dalje të qytetit të Beratit dhe i favorizuar nga era u shtri në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Pasi zjarri vu shpejt në kontroll nga zjarrfikësit, një tjetër vatër u shfaq në Malin Shpirag, zjarr ky që u shkaktua nga shkarkesa e një rrufeje.
Në zonë shkuan shërbimet zjarrfikëse, me 8 efektivë dhe 3 mjete dhe në një kohë të shkurtër lokalizuan flakët dhe kryen fikjen e plotë të zjarrit.
Si pasojë e zjarrit në malin Shpirag, u dogj një sipërfaqe 300 m2 me shkurre e bimësi, ndërkohë që në lagjen “Uznovë e madhe”, ku zjarri ishte i qëllimshëm, u dogj një sipërfaqe rreth 600 m2 me shkurre e ferra.
Problematike situata është paraqitur në qytet, si pasojë e stuhisë së erës dhe shiut, që përfshiu qytetin rreth orës 20:15 të mbrëmjes së sotme. Stuhia u shoqërua me pemë e shtylla të rrëzuara dhe me bllokime rrugësh në disa zona ku pemët ranë në rrugë, siç kanë qenë rruga Spital-Uznovë, Kombinat-Dogana, Stadiumi i ri-Tregu Industrial etj. Fatmirësisht, falë daljen në terren të të gjitha mjeteve zjarrfikëse dhe efektivëve të saj, situata u normalizuar shpjet, duke u mundësuar heqja e pemëve e zhbllokimet e rrugëve si dhe tërheqja e ujit nga rruga në disa zona në periferi të qytetit.