
Stuhia godet ishujt grekë, reshjet e dendura kthejnë rrugët në lumenj, përmbyten makina e banesa
31 Mars 2025
Moti i keq ka goditur rëndë një pjesë të madhe të Greqisë pasditen e së hënës duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ishujt Kikladhes. Pika më e prekur është ishulli i Parosit, ku reshjet e dendura kanë krijuar rrjedha të fuqishme uji që kanë marrë me vete automjete dhe kanë shkaktuar rrëshqitje dheu.
Rreth orës 17:30, autoritetet kanë dërguar një mesazh emergjence për banorët dhe vizitorët në Paros, duke ndaluar qarkullimin e automjeteve për shkak të situatës së rëndë.
“Ndalim i lëvizjes me automjete në rrugët e Parosit për shkak të kushteve ekstreme të motit. Përjashtohen vetëm mjetet e emergjencës”, thuhej në njoftimin e 112.
Kryetari i bashkisë së Parosit, Kostas Bizas, deklaroi se për dy orë ka pasur reshje të pandërprera, duke shkaktuar shembje gurësh dhe fryrje të lumenjve. Bashkia e ishullit u bëri thirrje banorëve të mos lëvizin deri në përmirësimin e situatës, duke konfirmuar dëme të mëdha në rrugë, përfshirë përmbytje dhe shembje të segmenteve rrugore.
Moti i keq ka prekur edhe Mykonos-in, ku një tjetër mesazh nga 112 u dërgua pak para orës 19:00, duke ndaluar qarkullimin e automjeteve. Në ishull ka rënë breshër i dendur, i ndjekur nga reshje të forta shiu, duke shndërruar rrugët në lumenj.
Stuhia ka prekur edhe ishujt e tjerë të Kikladhes si Syros, por edhe rajone në Evia dhe Peloponez, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe breshër. Autoritetet vazhdojnë punën për të menaxhuar situatën emergjente ndërsa u kanë bërë thirje qytetarëve të ndjekin udhëzimet për sigurinë e tyre.