Sulmi me armë ndaj Top Channel, reagon e revoltuar gazetarja e njohur: – Skenar i përsëritur nga filmi: “Kokat hëngshin”
27 Mars 2023
Gazetarja Sonila Meço ka reaguar pas sulmit me armë ndaj godinës së “Top Channel”, ku mbeti i vrarë roja 60 vjeç, Pal Kola.
Përmes një postimi në Facebook, ajo bën thirrje e revoltuar duke thënë: “Rrethojeni Shqipërinë me shirita të verdhë nga Hasi në Konispol”.
Reagimi i plotë:
“Pal Kola është 60-vjeçari që gjeti vdekjen tragjike orët e para të mëngjesit të sotëm pranë godinës së Top Channel.
Ai punonte roje në këtë televizion, dhe në momentin që autorët kanë shtënë me breshëri AK-47, i ndjeri ka qenë duke u ngrohur me ngrohëse brenda kabinës së tij.
Sipas informacioneve, 60-vjeçari priste të dilte në pension teksa ishte i lumtur që kishte gjetur një punë me të ardhura minimale.”
I ka të gjitha ky tekst kronike nga lajmet e mëngjesit, mjaftueshëm t’ja bëjë copë zemrën edhe më të pandjeshmit. Si erdhëm deri këtu, në vrasjen e një të pafajshmi me “bukë në gojë”, në derë të një televizioni kombëtar, pjesë e rëndësishme e historisë mediatike shqiptare me breshëri kallashnikovi, zbrazur me urrejtje e mllef pa pyetur nëse plumbat preknin fasada xhami, shtylla hekuri a trup njeriu në punë të vet?
Në një vend pa konflikte etnike, fetare, racore, pa kërcënim territori, jo në luftë, sovran: Shqipëria, kjo skenë masive krimi.
Rrethojeni me shiririta të verdhë nga Hasi në Konispol! Vrasësi dhe viktima janë skenari i përsëritur i “filmit”: “Kokat hëngshin!”
Gazeta Sot