Sulmi në konsullatën iraniane, OKB: Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar
16 Prill 2024
Një grup ekspertësh të OKB-së që punojnë me zyrën e OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare (OCHA) kanë thënë se sulmi izraelit në konsullatën iraniane në Damask ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Në një raport të publikuar nga OCHA, raportuesit specialë dhe ekspertët e pavarur thanë se “sulmet hakmarrëse ushtarake midis Izraelit dhe Iranit shkelin të drejtën për jetë dhe duhet të ndërpriten menjëherë”.
“Të gjitha vendet janë të ndaluara që të privojnë në mënyrë arbitrare individët nga e drejta e tyre për të jetuar në operacionet ushtarake jashtë vendit, duke përfshirë edhe kundër terrorizmit,” thanë ekspertët.
“Vrasjet në territorin e huaj janë arbitrare kur ato nuk janë të autorizuara sipas ligjit ndërkombëtar,” theksuan ata.
Ekspertët thanë se Izraeli nuk duket të ketë ushtruar vetëmbrojtje më 1 prill, sepse nuk paraqiti prova se Irani po kryente drejtpërdrejt një “sulm të armatosur” ndaj Izraelit ose po dërgonte grupe të armatosura joshtetërore për ta sulmuar atë. Ekspertët vunë në dukje se Izraeli nuk ka dhënë ndonjë justifikim ligjor për sulmin ose nuk e ka raportuar atë në Këshillin e Sigurimit, siç kërkohet nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara.
“Sulmi i Izraelit si pasojë shkeli ndalimin e përdorimit të forcës së armatosur kundër një shteti tjetër sipas nenit 2(4) të Kartës”, thanë ekspertët.
Teherani fajësoi Izraelin për sulmin në ndërtesën e tij diplomatike në kryeqytetin e Sirisë, ku u vranë liderët e lartë ushtarakë.
Izraeli as nuk e ka konfirmuar apo mohuar se ka kryer sulmin.
Nga abcnews.al