Sulmohet ambasada amerikane në Bagdat, ka të vdekur.
Sulmohet ambasada amerikane në Bagdat, ka të vdekur
Stafi i ambasadës dhe ambasadori amerikan në Irak është raportuar të jenë evakuuar si pasojë e protestave jashtë ambasadës amerikane në Bagdad, duke kundërshtuar sulmet e fundit ajrore të Shteteve të Bashkuara, që kanë lënë të vdekur të paktën 25 persona të grupit militant të mbështetur nga Irani, Kataeb Hizbullah.
Agjencia e lajmeve, The Associated Press ka raportuar se dyert e hyrjes së ambasadës janë thyer dhe janë dëgjuar të shtëna, teksa në disa pamje shihen protestuesit duke nisur zjarr jashtë ndërtesës.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë më 31 dhjetor se “Irani ka vrarë një kontraktor amerikan dhe ka plagosur disa. Ne jemi përgjigjur fuqishëm si secilën herë. Tani Irani është duke organizuar një sulm në ambasadën amerikane në Irak. Ata do të mbahen plotësisht përgjegjës”.
Trump po ashtu ka thënë se SHBA-ja pret që “Iraku të përdorë fuqinë që ka për ta mbrojtur ambasadën”.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë kryer “sulme precize të mbrojtjes” kundër pesë shënjestrave, në përgjigjje të sulmeve të vazhdueshme të grupit, Kataeb Hizbullah në bazat irakiane ku gjenden trupat amerikane, duke përmendur sulmin e 27 dhjetorit, në të cilin ka vdekur një kontraktor amerikan dhe janë plagosur forcat amerikane dhe ato irakiane.
Kataeb Hizbullah ka mohuar se ka qëndruar mbrapa sulmit, derisa ka deklaruar se 50 militantë i janë vrarë.
Agjencia gjermane e lajmeve, Dpa ka raportuar se protestuesit kanë bërtitur para ambasadës “Vdekje Amerikës” dhe “Jo, jo Amerika”.
Qeveria në largim e Irakut, ka thënë se do të “rishikojë” marrëdhënienet me SHBA-në, pas sulmeve ajrore, duke thënë se “forcat amerikane kanë vepruar sipas prioriteteve të tyre politike dhe jo të irakianëve”.
Pas bisedës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter se “ne kemi diskutuar sulmet mbrojtëse të SHBA-së në Irak dhe Siri për të luftuar kërcënimin e Iranit. Shtetet e Bashkuara do të veprojnë për të mbrojtur qytetarët e interesat e tyre”./rel/