Sunak i bën bilancet Ramës: – Kthyem 800 emigrantë të paligjshëm. – Deri në prill monitorim të burgjeve për të sjellë të gjithë të burgosurit nga Britania
24 Mars 2023
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me homologun e tij britanik Rishi Sunak.
Takimi është zbardhur nga qeveria britanike, e cila në faqen zyrtare ka sqaruar se mes dy politikanëve është diskutuar mes të tjerash në lidhje me emigrimin e paligjshëm, ku theksohet se deri tani 800 të tillë janë rikthyer në Shqipëri që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Në njoftim preket gjithashtu një tjetër pikë e rëndësishme në lidhje me shtetasit shqiptarë të cilët vuajnë dënimin në burgjet britanike.
Bëhet me dije se një ekip i përbashkët i dy vendeve do të monitorojë kapacitetet e Institucioneve të vuajtjes së dënimit në Shqipëri, vlerësim që do të përfundojë në muajin prill.
Sipas qeverisë britanike një operacion i tillë do të kryhet me qëllim kthimin në Atdhe të të dënuarve që momentalisht trajtohen në burgjet angleze.
“Kryeministri Sunak dhe kryeministri Rama u angazhuan për të thelluar punën në kuadër të Komunikatës së Përbashkët dhe Task-Forcës të rënë dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin tonë të përbashkët në trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të kontrabandës së njerëzve.
Ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta për të penguar njerëzit të udhëtojnë në radhë të parë, dhe marrëveshje të mëtejshme për ndarjen e të dhënave dhe pasaportat. Udhëheqësit mirëpritën përparimin e deritanishëm, me rreth 800 emigrantë të paligjshëm që u kthyen në Shqipëri që nga dhjetori, veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktonin Shqipërinë një vend të sigurt.
Për bashkëpunimin në drejtësinë penale, udhëheqësit përshëndetën punën e përbashkët të vazhdueshme për ekstradimet, ndjekjet penale dhe aftësitë e mjekësisë ligjore dhe largimin e qindra të burgosurve sipas marrëveshjeve ekzistuese. Ata ranë dakord që një ekip i përbashkët Britani-Shqipëri do të kryejë një vlerësim të kapacitetit të burgjeve të Shqipërisë – që do të përfundojë deri në fund të prillit – me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë të kualifikuar në sistemin e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në njoftim.
BalkanWeb