Suzana Varvarica: – Siç duhet njohur Simon Rrota, pa plagjiaturë dhe falsitete historike
Suzana Varvarica: – Siç duhet njohur Simon Rrota, pa plagjiaturë dhe falsitete historike
4 mars 2020
Studiuesja e arteve pamore, Suzana Varvarica Kuka me monografinë për “Simon Rrotën”, ka hapur disa çështje themeltare për referencë autoriale, dhe faktet historike nisur nga ky piktor, që shënon një nga personalitetet më të rëndësishëm të artit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX
Bisedoi: Violeta Murati
-Një monogafi e plotë, referenciale, historike që shenjon një nga piktorët më të rëndësishëm të gjysmës së parë të shek. XX. Simon Rrota, cila është lidhja juaj?
Studimet mbi artin pamor shqiptar ose figurativ, i cilësuar hershëm, me lidhin me proceset krijuese të piktorit Simon Rrota, ku natyrshëm përfshihet edhe jeta e tij.
-Para se të nisim këtë bisedë, doja të dija se ku jemi me studimet të jetës dhe krijimtarisë së piktorëve shqiptarë? Më duket se ekziston një realitet pak kaotik, informacion jo i orientuar si duhet, apo e kam gabim?
Ke të drejtë dhe të jap të drejtë, sepse kur këto studime kryhen vetëm me iniciativa private, qoftë dhe nga studiuesit, si dhe kur kërkimet studimore nuk zhvillohen në sisteme studimore akademike, por dhe kur ndodhin janë të pakta, do të thotë se studiuesit nuk kanë orientime të qënësishme, por sporadike, të trysnuara rrallë herë nga iniciativa vetjake dhe më dendur nga dëshira e familjarëve. Këtë e mbështes në numrin e madh të diplomuarve me titull “doktor” dhe që doktoratura iu fle në sirtare. Më e trishtueshmja është se pas doktoraturës nuk sheh më asnjë tekst kritik, studimor, analitik dhe vlerësues në publik për artin pamor nga njerëz të rinj të doktoruar.
-Ju keni rrëmuar dhe bazuar këtë vepër, edhe në koleksione private, a mund të na thoni si funksionojnë këta të fundit këtu, a kanë “jetë” aktive, sa ndikim kanë?
Libri im i Simon Rrotës është produkt i dashamirësisë së zgjuar të koleksionizmit shqiptar dhe, konkretisht i Kozma Dashit dhe Leonidha Çobo, të cilët i përzgjodhën pikturat dhe vizatimet, si dhe objektet që lidhen me jetën e familjes Rrota. Ata kujdesen në bazë të parimeve të koleksionizmit. Disa kohë më parë koleksionizmi ishte shumë aktiv, por në ditët që jetojmë ata janë në “botën e tyre të heshtjes”, që do të thotë shijojnë artin e grumbulluar prej tyre, e diskutojnë dhe mendojnë se: fisnikëria për ta ruajtur, konservuar dhe restauruar, pasqyruar dhe ekspozuar koleksionin e tyre ka mbetur në hije, pasi Shqipëria përpos që është një vend i vogël, ka filluar të humbë fuqinë blerëse ndaj veprës së artit, në shkak të një vlerësimi, ku varfëria dhe niveli ekonomik i mirëqënies po ulet dhjetëvjeçar pas dhjetëvjeçari.
-Çfarë mendoni se ka Shkodra që nuk rresht së frymëzuari piktorët e vet prej më shumë se një shekulli?
Shkodra është një vendbanim i hershëm dhe shtresat e saj kulturore dhe zakonore janë sa të largëta në kohë aq dhe të shumta. Kjo edhe sepse ka qenë një vend që lagej nga shumë ujra liqenore dhe rrjedhëse të lumenjve, që në disa kohë kanë qenë edhe të lundrueshëm. Shkodra është shumë e njohur në historinë e zhvillimit ballkanik dhe europian, duke u përcaktuar si qendër e rëndësishme në disa harta botërore dhe të disa perandorive. Nuk do të gabonim nëse pranojmë të themi se bukuria e tokës së saj ishte mahnitëse dhe pjellore. Ajo tërhoqi drejt vetes perandoritë latine, bizantine dhe osmane, të cilat sollën dhe morën nga qyteti kulturën e të jetuarit, kulturën e ndërtimeve, e të ushqyerit dhe të besimeve. Shkodra ishte një rrugë kalimi dhe lëvizje e popullsive me kombësi të ndryshme, si dhe e vizitave dhe rrugëtimeve të njerëzve të njohur që vinin nga vendet europiane për të shkuar drejt trojeve antike greke. Por vitet 100 të shek. XX janë të rëndësishme për Shkodrën dhe banorët e saj, pasi ata trashëguan tregtinë, pasurinë, kulturën dhe besimin binom: perëndimor të krishterë dhe lindor islam apo mysliman. Deri në vitet 20 Shkodra jetonte me sy kah perëndimi, ku Italia dhe ndoshta Roma, Venecia e Trieste ishin frymëzimet për ta ndryshuar jetën anadollake shkodrane, të trysnuar për disa qindra vite nga perandoria osmane. 20 vitet e para të shek. XX janë vite formuese për një Shkodër me fizionominë që ne njohim në ditët e sotme. Nga fundi i shek. XIX dhe deri në vitet 40 disa djelm shkodre u edukuan në shkollat e krishtera në Shkodër dhe në akademitë italiane të artit dhe jo vetëm. Ndikimi i shkollave të teologjisë katolike mbi Shkodrën ka qenë përfshirës, në të cilin arti figurativ ka qenë një element bazë. Shkodra është minierë ngjarjesh, objektesh, ideshë, ndërtimesh, kostumesh të shumëllojshme të popullit të saj, besimesh, arti dhe kulture, të cilët konservojnë kulturën autentike, kulturën perëndimore dhe atë lindore. Kjo fizionomi lëvruese dhe lëvizshme, grafulluese dhe nxitëse, që gjenerohej sa nga lindja dhe sa nga perëndimi ka krijuar Shkodrën, artin dhe thesaret e kulturës së saj.
-Vërejmë në këtë botim edhe një kujdes gjuhësor të veçantë, në fakt në bisedat me ju gjithmonë ka qenë kjo përkorje. E rrallë në rastin tuaj…
Të them të drejtën unë bëj çdo ditë përpjekje për ta njohur gjuhën tonë. Shqipja është shumë e bukur, shumë e vështirë, me plot të papritura. Nuk jam në lartësinë e duhur, por të falemnderoj që ma dallon mundin e madh dhe përpjekjet e mia të vazhdueshme në rrugëtimin e shqipes.
-Ç’do të thotë të jesh piktor i vendlindjes, Simon Rrotën e cilësoni të tillë, referuar dhe fakteve etno-historike?
Simon Rrota është piktor i vendlindjes, sepse krijimtaria e tij lidhet ngushtësisht me pamjen e jashtëme të natyrës veriore, të pamjeve të Shkodrës, të rrugicave të saj, shtëpive, të portave dhe mureve; të kostumografisë së popullit të Shkodrës, që është e disa llojeve, që gjenerojnë prej besimeve, moshës dhe statusit civil në shoqëri. Gjithashtu ai është lidhur me dritën e fortë e të ngrohtë të qytetit të vet, me ngjyrën dhe objektin për të zbuluar psikologjinë e popullsisë dhe njerëzve të saj me detyra dhe funksione të ndryshme në jetën e tyre. Ai zbulon njeriun brenda shtëpisë shkodrane duke evidentuar fenomene etno të sjelljes dhe të mënyrës së banimit brenda dhe jashtë saj. Ai nuk anashkalon Shkodrën dhe Mbishkodrën në pikturën historike dhe kur lë gjurmë të saj, si në kompozime ashtu dhe në portrete individuale. Të jesh piktor i vendlindjes për Simon Rrotën janë të gjitha çastet që ai shpenzoi për të pikturuar anën tjetër të Shkodrës dhe të shkodranëve, që lidhen me individualitete të kombësive të tjera, pasi përmes tyre bëjmë krahasimin e madh të asaj sesi Simon Rrota evidentoi në forma të ndryshme frymën, dritën, ngjyrën, teksturën dhe fizionominë e Shkodrës nga pjesa tjetër e individualiteteve të huaja, ku kërkimi krijues shkon kah elementee e klasikës. Kjo do të thotë se me Shkodrën dhe popullsinë e saj ai ishte një pasqyrues i afërt, romantik e, i ngrohtë i saj dhe me pjesën tjetër një realist i ftohtë dhe i kujdesshëm.
-Më ka tërhequr vëmendjen një mendim i Simon Rrotës, për shoqërinë shqiptare, të asaj kohe, mendoj për fat të keq, pak aktuale, që më lejoni t’jua citoj: Koncepti im menduer mos më thanë ideologjik nuk pajtohet me moralin, të cilin kjo shoqni ma imponon”. Çfarë do të thotë për një piktor ky “angazhim” që siç shihet gjendet totalisht i përfshirë në jetën e qytetit?
Kjo është një pyetje e gjerë, sepse duhet analizuar në disa etapa të jetës së Simon Rrotës. Kur ishte fare i ri dhe punonte në Bexhisten atij nuk i pëlqente aspak skllavëria dhe puna e lodhshme e fëmijëve dhe e grave që shërbenin si hamallica. Nuk i pëlqente aspak që gratë i qëndronin në dhoma të ndara nga burrat, kur kryenin vizita familjare. Pas disa kohe kur ai u rrit disi dhe filloi të vizatonte në rrugë të Shkodrës kuptoi se sa e pashkolluar, agresive, e egër, mosnjohëse dhe kundërshtuese ishte ndaj artit popullsia e zakonshme e vendlidjes. Ai e quajti popullsi anadollake. Madje kuptoi se kjo nuk vinte thjeshtë nga feja, por vinte nga mosedukimi dhe mosarsimimi, sepse në kontakt me xhonturqit e shkolluar zbuloi kulturën e tyre ndaj gjuhëve të huaja dhe adhurimin ndaj artit. Më pas, në kohë, kur ai u kthye nga Italia kuptueshmërinë e kishte shumë më të madhe dhe vlerësoi maksimalisht se fretnit, me Fishtën e të tjerë, kishin qenë ata që deshën dhe e vlerësuan ma shumë se kushdo tjetër kombin, gjuhën shqipe, flamurin dhe besimin. Natyrisht ai ishte pjesë e inteligjencës shqiptare të Shkodrës, por ishte kundër dasisë së thellë që kushtëzonte mentaliteti ndaj gruas dhe burrit, mentaliteti i edukimit të pjesshëm të shoqërisë, i moralit të fshehtë, pasi ai ishte një indvid i edukuar qartë dhe pozitivisht. Këtë e tregojnë shënimet e ditarit të tij, të cilat i fshehu gjatë gjithë kohës komuniste, pasi kuptoi që morali i ri komunist ishte ajo ideologji që nuk pajtohej me moralin dhe edukimin e tij, por ai ishte i friksuar dhe i detyruar të angazhohej në të.
-Miqësitë e Simon Rrotës? Si p.sh lidhja me Idromenon, çfarë keni zbuluar?Sa e afërt ishte piktura e Rrotës me Idromenon?
Piktura e Simon Rrotës ka lidhje të drejtpërdrejta me Kolë Idromenon, pasi ai ishte mësuesi i tij i dytë pas Fishtës, por profesori i tij Davide Achile Camperestrini e shkëputi totalisht prej tij, sepse orientimi artistik shkonte drejt akademizmit të Italisë veriore.
-Çfarë ishte unike tek Simon Rrota?
Piktura e tij është unike, sepse tregon stadin e tij të njohjes së pasqyrimit të figurës, objektit dhe subjektit përmbajtësor të pamjeve të humbura të Shkodrës dhe të njeriut të saj në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX. Gjithsesi piktura e tij qëndron ndërmjet naivit dhe profesionistit romatik e realist. Ka raste siç është potreti i gruas që qep në makinë që na tregon një piktor modern të drejtimit realist, krahasuar me realizmin si lëvizje artistike ndërkombëtare.
-A mund të zbuloni se çfarë e shqetësonte piktorin në atë kohë, në lidhje me artin e tij, pikturën?
Njohja ime shkon deri aty sa zbulon se Simon Rrota ishte i lidhur me pasqyrimin e drejtpërdrejtë nga natyra dhe mendoj se e ka shqetësuar vetëm mosrealizmi i qartë i saj. Dhe kjo lidhet plotësisht me formën. Gjithashtu atë e ka shqetësuar dhe ndalimi i pikturimit të temave fetare, të cilat i adhuronte, që nga koha kur pikturonte tablotë sëbashku me At Gjergj Fishtën. Dhe kjo është pjesë e mendimit të tij që lidhet me ideologjinë dhe moralin.
-Diku ju shënoni se piktori nuk na ka lënë arsyetime mbi krijimin e tij, apo mendime për temën e diplomës, me të drejtë, për ta njohur më mirë. A mendoni se diçka nuk ka shkuar në këtë moment, të kujt arsyeje mund të ishin këto “mangësi”?
Kthimi në atdhe në shkak varfërisë dhe të luftës së 1914-1918 në Shqipëri dhe në Europë, si dhe mos shënimet e tij gjatë kësaj periudhe na e bën të paqartë ketë “mangësi”. Natyrisht dhe referimet padije të familjarëve rreth kësaj periudhe e theksojnë këtë.
-Tek një vepër e njohur “Te pusi i fshatit”, e vitit 1934, ka një dinamikë interesante etno-emocionale, e cilësoni ju. Iu referova kësaj tabloje, por shihet edhe në punë të tjera, ku në fokus është gruaja dhe natyra, se ky piktor i jep vëmendje qasjes antropologjike. Çfarë dëshmon kjo, nga se buronte?
Natyrisht është forca tërheqëse që kanë kostumet e grave të Shkodrës, të Zadrimës dhe të krahinave përreth të cilat sjellim këtë dinamikë, ku artisti pasqyron jo vetëm gruan, gjestin, kostumin, kohën, natyrën, ngjyrat e atmosferës së një shekulli më parë, të cilat përbëjnë elemente të etnos dhe fenomene të antropologjisë shqiptare. Ndryshimi tërësor dhe thelbësor sot i njeriut, i veshjeve të tij, i gjesteve, i mënyrës së komunikimit janë një pamje krejt e tjetër dhe pamjet e pikturave të Simonit e kanë këtë cilësi shumë të thellë, por aspak ajo nuk e penalizon artin e tij. Sepse çdo të duhej të themi për tema të pikturuara shekuj më parë nga artistë të vendeve të tjera. Për shembull çdo duhet të themi për piktorin Pieter Bruegel-in me pikturën e tij “Vallzimi i fshatarëve”?
-Tablotë e Rrotës po ashtu na marrin vëmendjen edhe për prezencën njerëzore, pothuaj në çdo vepër të të tij është individi: gruaja, fëmija, plaku…dhe në thelb të saj është puna, kudo? Çfarë koncepti e printe këtë krijimtari, mendimi, por edhe një shoqërim kostumografik mjaft i veçantë?
Pasqyrimi i njeriut në mjediset e familjes, të punës, të tregut e në rrugë është parë me kujdes dhe me këmbëngulje nga Simon Rrota. Pikturimi me uniformën kombëtare, po e quaj kostumin e qutetit apo të fshatit, të gruas dhe burrit musliman apo të krishterë, ishte e pashmangshme në rastet kur ato i mbanin veshur dhe artisti i zgjidhte si temë të pikturave të tij. Ajo shmangej prej artistit kur personazhet që pikturoi ishin të veshur “allafranga”. Pra kostumografia ishte një domosdoshmëri por me dy kahe: kombëtare e popullore dhe “allfranga” apo civile europiane.
-Sa u prek nga komunizmi arti i Simon Rrotës?
Natyrisht që u prek, pasi dhe ai iu përshtat pasqyrimit të temave të reja edhe pse janë piktura të pakta. U prek sepse nuk e lejuan të mbaronte pikturën me subjekt fetar që i përket pasqyrimit historik të vendosjes së gurit të parë në ndërtimin e Kishës së Madhe, që u përfundua nga një nxënës i tij dhe sot ekspozohet në një nga sipërfaqet e kësaj kishe.
-Nuk ishte rasti i parë, por ky piktor shihet në një besim të fortë në faktin se artisti gjen ngushëllim te kleri katolik, pse i krijohej kjo bindje, ç’ishte kjo jetë? Modelet?
Ai kishte besim të normalizuar ndaj krishtërimit katolik, pasi lindi në një familje të tillë, u edukua disa kohë në shkollat e tij dhe punoi mbi të gjitha me Fishtën e madh. Simoni e përshkruan humorin e Atit në mënyrë infantile, por të plotë. Besimi dhe edukimi i krishterë e lidhi me artin e pikturës, pasi në shkollat e këtij besimi ushtrohej mësimi i pikturës dhe i vizatimit. Ky besim kthehej në bindje, në kulturë dhe në mënyrë jetese. Modeli i tij i besimit dhe i kulturës si fetare ashtu dhe letrare ishte Fishta dhe piktura klasike e shekujve të Rilindjes së vonë europiane.
-Ndaloni në një tjetër fakt interesant, që lidhet, përkundër thamë më lart, me artin laik. Vetë Rrota, a pati ndonjë ego si piktor, çfarë ka ndodhur me të shkuarën e tij?
Arti laik në tërësi quhet arti i dalluar nga arti i temave fetare. Simon Rrota i zhvilloi të dyja, pasi ishte koha e tillë. Ndikimi i drejtimeve dhe lëvizjeve moderne në art ishte gjuha dhe kërkesa shpirtërore e artistëve në mesin e shek. XIX dhe fillim shek. XX, që në mënyrë të pashmangshme ndikoi dhe u lind në Shkodër nga Kolë Idromeno. Pra, ishte një prurje ndërkombëtare ku rol të rëndësishëm luan edhe fotografia.
-Jetoi në kohën e lulëzimit të Marubit, ndërsa tregoni se aq u qëndronte në krah, sa edhe i sfidonte imazhet fotografike. Si vinte ky ndikim?
Ai pikturoi shumë nga fotografia përmes teknikës së aerografit që e mësoi në Milano. Kjo e bëri të ishte pranë fotografisë dhe në sfidë më të, duke përdorur ngjyrat dhe dritëhijen e lapsit apo karboneve.
-Si është situata e trashëgimisë së piktorit?
Trashëgimtarët e veprave të Simon Rrotës janë njerëz seriozë dhe e duan veprën e babait dhe gjyshit të tyre. Kujdesja është maksimale dhe mbahen në kushte të rregullta.
-Libri që kemi në dorë, përgatitur prej jush është njëkohësisht kontribut i koleksionistëve? Para pak ditësh ju keni shprehur një shqetësim plagjature, pse vjen kjo, çfarë vendi do zërë kjo vepër si për referenca studimore, por dhe për ne mediat?
Unë do të përcaktoja një shqetësim plagjiature çdo gazetar kulture që merr përsipër të përdorë dokumentacione, informacione, studime, libra studimore, monografi e tjerë dhe nuk ka mirësjelljen dhe detyrimin të cilësojë emrin e studiuesit apo të cilësojë burimin e këtyre materileve që ai përdor për të informuar publikun përmes mediave të ndryshme. Kjo ka ndodhur disa kohë më parë kur i gjithë libri i “Simon Rrotës” u përdor në një dokumentar dhe gazetarja nuk pati as mirësjelljen dhe as detyrimin të përmendte emrin tim si autore e librit. Madje u soll në mënyrë brutale.
Gazeta Standart