Tabaku: – Komisioni për Dezinformimin qesharak dhe i njëanshëm
12 Prill 2024
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, iu përgjigj kryetarit të grupit parlamentar të PS në lidhje me kërkesën e tij për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin.
Ajo u shpreh dje nga foltorja e Kuvendit se këto komisione nuk mund të jenë të njëanshme dhe se ajo ende pret një përgjigje nga ministri Hasani në lidhje me memorandumin e firmosur me sekretarin e shtetit Blinken në shkurtin 2024. “Kisha pritur që në këtë Komision palët të uleshin, duke pasur parasysh edhe çështjen sensitive të dizinformimit.
Disa shoqata dhe organizata të shoqërisë civile, organizata të lirisë së medias, kanë ngritur shqetësime për sa i përket fushës së veprimit të këtij Komisioni. Unë besoj që ky parlament ka pasur boll komisione qesharake, të njëanëshme, të cilat nuk kanë prodhuar asgjë.
Është e udhës që për këtë Komision palët të diskutojnë bashkë se cila është mënyra më e mirë, pa cenuar vijën e hollë që prek lirinë e medias, për të mos e përdorur këtë Komision për betejën politike të ditës”, u shpreh Tabaku, ndërsa kërkoi që të diskutohet sepse media është e rëndësishme dhe një vijë e hollë e ndan lirinë e mediave nga uzurpimi i pushtetit të katërt.