8 Shjetor 2024

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e vështirë në të cilën ndodhet rinia shqiptare. Përmes një video-mesazhi të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku ka ngritur zërin për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria dhe për mungesën e mundësive që ata hasin në vend.

“ Rinia sot është si Shqipëria sot: më e varfër, më e dëshpëruar dhe në ikje. Një e treta e të rinjve janë të papunë, 40% e forcës aktive janë larguar, universitetet po zbrazen dhe shkollat po mbyllen. Sot, rinia nuk po shihet më si promotori i ndryshimit të shoqërisë dhe ekonomisë, ” tha Tabaku.

Deputetja theksoi se rinia shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe se të rinjtë tanë kanë treguar sukses në fusha të ndryshme si biznesi, shkenca dhe mjekësia – por, për fat të keq, këto arritje po realizohen jashtë kufijve të Shqipërisë.

“ Dëshira jonë është që ata të kenë mundësi të arrijnë këtu, në Shqipëri, të përfshihen në vendimmarrje, sipërmarrje dhe në të gjitha fushat e jetës. Të rinjtë duhet të jenë forca që ndryshon këtë vend, ashtu siç ndodhi më 8 dhjetor 1990, kur rinia ndryshoi një sistem të tërë me forcën dhe energjinë e tyre, ” shtoi Tabaku.

Ajo bëri thirrje për një përfshirje më të madhe të rinisë në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore, duke e konsideruar rininë si një forcë të pashtershme për të ardhmen e Shqipërisë.

“Duhet të kujtojmë çdo ditë që të rinjtë janë forca integrale e këtij vendi. Duhet t’u japim mundësi për t’i përfshirë në çdo proces, që ata të bëjnë ndryshimin dhe ta çojnë Shqipërinë përpara,” përfundoi deputetja.