Takim sekret dhe plan dëbimi për miliona vetë nga Gjermania! – Çfarë u diskutua mes politikanëve të AfD-së dhe ekstremistit të djathtë
Në një takim, deri tani të panjohur publikisht, politikanë të partisë populiste të djathtë në Gjermani, AfD janë takuar me ekstremistin e djathtë austriak, që njihet si neonazist, Martin Sellner dhe mbështetës privatë të tij për të diskutuar një masterplan që parashikon dëbimin e miliona vetëve nga Gjermania. Ky njoftim vjen nga media e pavarur “Correctiv”.
Këtë takim e kishte thirrur, ndër të tjera, edhe ish-bashkëpronari i rrjetit të dyqaneve të vetëshërbimit të bukës, “Backwerk”, Hans Christian Limmer, sot një nga pronarët e një rrjeti restorantesh për hamburger, “Hans im Glück”. Ekipi i gazetarëve investigativë ka dokumentuar takimin, që ka qenë mbajtur në një hotel në Potsdam. Disa dokumente i janë vënë në dispozicion “Correctiv” edhe nga organizata “Green Peace”.
5.000 euro pjesëmarrje për një masterplan
Në një ftesë të takimit që e ka në dorë tek “Correctiv” thuhet, se tek ky takim do të paraqitet një “koncept strategjik në formën e një masterplani. “Shanset që vendi ynë të kthehet në një kurs të shëndetshëm dhe normal” janë “të mëdha si kurrë më parë”. Për pjesëmarrje është ngritur një “donacion të paktën prej 5.000 eurosh”.
Ky donacion do duhej të bëjë të qartë, se “grumbullimi i mjeteve mbështetëse është detyra bazë e një raundi të tillë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga sipërmarrësi Limmer dhe ekstremisti i njohur i djathtë, Gernot Mörig. Në një ftesë tjetër të Mörig thuhet, se konceptin e përgjithshëm në kuptimin e një masterplani do ta prezantojë në hyrje i njohuri Martin Sellner.
Dëbim i gjermanëve?
Disa burime i konfirmuan deklaratat e njëjta për reporterët e “Correctiv”. Në qendër të këtij takimi ishte një koncept ekstremist i djathtë i frymëzuesit të “Lëvizjes identitare”, Sellner, që vetë AfD, zyrtarisht nuk e pranon: “rimigracionin” edhe të qytetarëve gjermanë me sfond migrimi. Kjo do të thoshte dëbimin e miliona vetëve nga Gjermania.
Miratime nga politikanët e AfD-së
Gjatë takimit politikane e politikanë të AfD-së, sipas “Correctiv” e kanë mriatur konceptin e prezantuar. Kështu për shembull, kreu i grupit të AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund ka shtuar, se në landin e tij duhen marrë masa që të bëhet “jo atraktive për këtë klientel për të jetuar” në Gjermani. Deputetja e Bundestagut e AfD-së. Gerrit Huy tha, se ajo e ndjek me kohë objektivin e skicuar dhe që me hyrjen në këtë parti “ka paraqitur një koncept rimigracioni”.
Një nga personat që ka marrë pjesë në takim ka qenë edhe Roland Hartwig, referenti personal i kryetares së partisë, AfD, Alice Weidel. Pjesëmarrja e tij tregon, se botëkuptimet ekstremiste të djathta kanë zënë vend deri në kupolën e partisë AfD. “Correctiv” i konfrontoi disa nga pjesëmarrësit me deklaratat e tyre. Gernot Mörig është shprehur, se nuk ka pasur kushte pjesëmarrjeje, aspak në një formë donacioni, megjithëse në ftesë ishte shkruar ndryshe. Në lidhje me deklaratat e “konceptit të rimigrimit”, Mörig është shprehur, se i kujton ndryshe deklaratat e neonazistit, Sellner, sepse nëse do t’i kishte “perceptuar me vetëdije” do të kishte kundërshtuar me siguri. Kurse kreu i grupit të AfD për Saksoni Anhalt, Siegmund është shprehur, se ai ka qenë si “person privat” dhe jo si deputet i AfD në takim. Të tjerë nuk i kthyen përgjigje “Correctiv” deri në përgatijen përfundimtare për botim të artikullit.