Takimi i Ramës me diasporën në New York, reagon juristi Spahiu: – Me një gur, tenton të vrasë tre zogj
27 Tetor 2024
Në takimin e kryeministrit Edi Rama në New York, u vunë re se morën pjesë edhe demokratë apo antikomunistë. Juristi Kreshnik Spahiu në një intervistë televizive tha se kjo nuk ishte rastësi, duke theksuar se Rama i mori Berishës bastionin e fundit, atë të emigrantëve.
“Pikërisht aty, në vatrën e bastionit ku ka pasur Berisha, pikërisht atje fillon fushatën për votën e diasporës. Kjo nuk është e rastësishme, se ky është një proces që pasi i ka marrë në zgjedhje lokale, Tropojën, Kukësin, Shkodrën, Kamzën dhe Bathoren, pra i ka marrë të gjithë veriun e Shqipërisë.
Nuk janë të rastësi që 10 pyetje janë drejtuar nga demokratë, ish-demokratë, ish-themelues të PD dhe emigrantë me origjinë nga veriu, nga Shkodra, Tropoja, Dukagjini. 90% e tyre ishin verior.
Rama i mori bastionin e fundit Berishës që ishin emigrantët. Shpresa e fundit ishte për rotacion politik për Berishën apo për Metën dhe ajo ka rënë dhe tashmë unë mendoj që Rama me një gur ka tentuar të vrasë 3 zogj.
Do e çojë PD drejt një procesi në parlament, që të mos e votojë paketën teknike ligjore, për dokumentacionin e emigrantëve. Demokratët duke parë që diaspora po shkon drejt një vote tërësisht socialiste me të majtë, demokratë do ekzistojnë dhe do bëhen pengesë për të mos lejuar që emigrantët në 2025 të votojnë”, tha Spahiu.