4 Maji 2024

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka deklaruar se taksa e profesionistëve të lirë do të rrisë çmimet për shërbimet. Sipas Tabakut çmimet e noterëve, përkthyesve, avokatëve e kështu me radhë do të rriten për çdo shqiptar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Tabaku thekson se sondazhet tregojnë se 37% të këtyre bizneseve mendojnë të rrisin çmimin ndërsa një pjesë e konsiderueshme mendojnë të largohen. Gjithashtu ajo ngre shqetësimin se pikërisht kjo sjellje e qeverisë ka shkatërruar biznesin dhe ka ngritur një sistem të pandershëm.

Postimi i plotë i Tabakut:

“Qindra të rinj kanë shkruajtur duke pyetur për taksën e profesioneve të lira. Shikoni ky nuk është një grup njerëzish që po i vendos një taksë e po ankohen. Këtu bëhet fjalë për ajkën e shoqërisë, për profesionistë të lirë të cilët ofrojnë shërbime që nuk i ofron askush tjetër. Ndërkohë që flasim 37% e këtyre bizneseve, që do të thotë ekonomistë ,financierë, kontabilistë, noterë, avokatë janë duke rritur çmimet e shërbimeve të tyre.

Zinxhir do të rriten dhe në shërbime të tjera. Ndërkohë që 23% prej tyre mendojnë që ta mbyllin biznesin e tyre dhe të largohen. A është emigrimi zgjidhje? A është rritja e taksave ndërkohë që ti ke përjashtuar taksa të tjera , zgjidhje nga ana e Qeverisë që të taksojnë trurin?

Qoftë edhe deri në 40%, më shumë se çdo produkt tjetër në Republikën e Shqipërisë. Kjo është beteja që po bëjmë, që të mos taksohet më shumë truri se karriget, se malli , se akciza e naftës dhe se çdo produkt tjetër. Ta vlerësojmë e ta mbështesim trurin dhe ta stimulojmë një biznes!”