Talat Xhaferi nuk i bën dot as 100 ditë. – Me kërkesë të shqiptarëve Kuvendi maqedonas ia shkarkon dy ministrat e tij
10 Shkurt 2024
Probleme për qeverinë e Talat Xhaferit ende pa u mbushur 2 javë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut filloi pasditen e së premtes një seancë për shkarkimin e dy ministrave që vijnë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, që ka përfunduar pak minuta më parë me shkarkimin e tyre.
Kërkesa për shkarkimin e tyre u bë nga ish-kryetari i kësaj partie, Ziadin Sela, pas përplasjeve me kreun aktual, Arben Taravari.
Ky i fundit vendosi që në zgjedhjet e arudhshme partia t’i bashkohet opozitës shqiptare, por kjo po shkakton përçarje brenda partisë.
Një pjesë e mbështeti, por të tjerë dolën kundër. Koalicioni qeverisës ka një shumicë të brishtë në parlament, por duket se i arrin votat e nevojshme për ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu pritet të shkarkohen nga parlamenti pasi u rreshtuan me zotin Taravari lidhur me vendimin e tij për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pranverës.
Krahu i Ziadin Selës ka propozuar për ministër të ri të shëndetësisë Ilir Demirin, mjek – infektolog dhe drejtor aktual i Spitalit të Tetovës dhe për ministër të Shoqërisë Informatike, Naim Bajramin, ish-zëdhënës i partisë.
Kryeministri i qeverisë teknike, Talat Xhaferi dha këtë shpjegim për ndryshimet.
“Që në fillim dua të theksoj se propozimi për shkakrikim e ministrave nuk ka të bëjë me aspektin profesional të përgatitjeve të tyre.
Unë kam respekt të veçantë duke pasur parasysh se i kam dhe bashkëvendas (nga Gostivari) dhe në vazhdimësi i kam përcjellë dhe e njoh përgatitjen e tyre profesionale.
Forca e ligjit thotë se nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të qeverisë; dhe kjo është arsyeja bazë për të cilën propozimi (për shkarkim) ndodhet para jush”, – tha Xhaferi.
Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Shkarkimi i ministrave vjen dhjetë ditë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar. Në vend të tyre, të hënën, më 12 shkurt, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.
Seanca ishte thirrur nga kryeministri Talat Xhaferi, pasi një komisioni partiak i Aleancës për Shqiptarët (ASH), që është pjesë e Qeverisë teknike, propozoi shkarkimin e dy ministrave të saj.
Vendimi është marrë pasi dy ministrat dolën publikisht në mbështetje të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari për të kaluar në opozitë.
Por, kjo kishte nxitur reagim te një pjesë e partisë që udhëhiqet nga ish-kryetari i saj, Ziadin Sela, kryetar aktual i Kuvendit të kësaj partie.
Ai për të shtunën, më 10 shkurt, ka thirrur Kuvendin për të konstatuar përgjegjësinë, por edhe fillimin e procedurës për shkarkim të Taravarit nga partia.
Por, Taravari ka thënë se Sela nuk e ka mbështetjen e kuvendarëve, pasi shumë prej tyre i kanë dhënë mbështetje qëndrimit të tij për të bërë koalicion me opozitën.
Përçarja në ASH është reflektuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Seanca ka nisur me tre orë vonesë pasi partitë në pushtet nuk arrinin të siguronin numrin e nevojshëm të deputetëve për nisjen e saj, që u dëshmua edhe me votimin, i cili rezultoi me shumicë të thjeshtë prej 62 deputetësh.
Për shkarkimin dhe miratimin e ministrave të rinj nevojitej shumica prej 61 deputetëve nga 120 sa ka parlamenti. Mbi 30 deputetë kanë paraqitur kërkesë për fjalim lidhur me çështjen.
Nga OraNews