Tallavatë e Gushtit. (Të ashuquajtura Festa Fshati)
2 Shtator 2024
Nga Auron Tare
Ka disa vjet tashmë që në Gusht shumë fshatra mbledhin bashkëfshatarë apo të ikur prej kohësh dhe nën logon “Takim Brezash” festojnë. Në vetvete nisma është për tu lavdëruar. Është dicka e bukur të kesh mundësi të rikthehesh në gjurmët e të parëve të tu. Një lloj rikthimi në kohë apo në rrëfenjat e gjyshërve. Gati cdo fshat po e bën këtë ritual pjesë të vetes duke kthyer vëmendjen nga fshatrat e braktisura. Deri këtu bukur fort. Më është thënë rasti të shikoj nga afër apo nga distanca këto festime. Me gjithë dëshirën e madhe për dicka të mirë për këtë apo atë fshat, kjo mbledhje brezash fatkeqësisht kthehet në një event pa asnjë bosht kulturor apo tradicional.
Po ata këngëtarë të dorës së tretë që udhëtojnë fshat më fshat. Po ato këngë pa asnjë nuancë apo traditë historike. Një perzierje e lokales me instrumenta elektronike ku këngët e bukura te Epirit antik, Labërisë apo Toskërisë e kanë humbur origjinalitetin dhe bukurinë e tyre. Organizimi tipik i njëjtë ca karrike te klubit të fshatit drita të bardha si ato që përdoren në spitale, raki apo birra të lira thirrje apo britma nga të dehurit e rastit dhe në fund ai rrethi i njerzizë që kapur dorë më dorë nën ritmin e këngëtarit apo muzikës që ka shijen sikur sapo ka dalë nga ndonjë supermarket fshati, kërcejnë kërcejnë ca ritme dhe valle të njëtrajtëshme.
I vogël gjyshja me merte me vete dhe kështu më ka rënë rasti të vështroj disa dasma në Labëri. Edhe pse varfëri e madhe kishte shume fisnikëri, respekt për gostinë, rregulla të arta sjellje dhe një ruajtje e mrekullueshme e traditës qe dukej se vinte nga antikiteti. Edhe te dehurit trajtoheshin me respekt. Ndërkohë sot i gjithë elementi i kulturës rurale është shndruar në një surrugato e cila dukshëm po transformon pejsazhin kulturor. Bashkuar kjo me soj soj turlish të Festave Bashkiake te Gjizës, Byrekut, Gështenjave, Miskave, Çeço Tekno, Verës, Midhjes, Peshkut, Bukë grurit, Bukë misrit e plot e plot kotësirave të tjera.
Më poshtë një video nga një eveniment i ngjashëm i Klaneve Malësore te Skocisë. Sa respekt për traditën veshjet muzikën kulturën. Me respekt e veshin kostumin e tyre kombetar dhe ruajnë simbolin e tyre Gajden. Vegël muzikore që dikur shoqëronte trupat arbërore ne Europë sot tek ne është zhdukur. Asnje përpjekje për ta ruajtur apo mbrojtur. Nejse Gushti i Tallavasë kulturore iku. Të presim cdo na shohin sytë Shtatorin e Festave.