“Tani pse qan”. – Apeli i fortë i mjekut pas aksionit te ‘5 Maji’: Ti hezitove të protestoje kur të thirra për Teatrin, Astirin, Shkozën…

19 JANAR 2022

Një mesazh ndryshe ka përcjellë mjeku Ilir Allkja, i njohur si një zë kritik jo vetëm brenda sistemit të shëndetësisë lidhur me aksionin e IKMT-së sot në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë.

Teksa poston foton e një banori të përlotur pasi policia i nxori nga shtëpitë për të vijuar aksionin IKMT për shembjen e banesave, mjeku u drejtohet qytetarëve me mesazhin se kur u kërkoi të dilnin në protestë kundër aksioneve të tjera të mëparshme, ata kanë hezituar duke menduar se fadromat nuk ishin për shtëpinë e tyre.

Ai kujton se solidariteti midis të gjallëve është detyrë tokësore e hyjnore, e vetmja rrugë për të përballuar fatkeqësitë nga natyra apo nga pushtuesi.

Postimi i plotë:

MOS QAJ MIK!

Ske përse qan miku im, unë të thirra plot herë në mbrojtje të qytetit, por ti mendoje vetëm për shtëpinë tënde!

Me doli fryma duke të thirrë të vije në mbrojtje të Teatrit, banorëve të Astirit, banorëve të Shkozës, atyre të stacionit të trenit, por ti ishe i qetë që fadromat nuk ishin për shtëpinë tënde.

Të kërkova të dilje në protestë për liri, kundër regjimit e kundër pseudo-opozitës, për vete e për Familjen tënde, por ti qëndrove indiferent mik!

Solidariteti midis të gjallëve është detyrë tokësore e hyjnore, e vetmja rrugë për të përballuar fatkeqësitë nga natyra apo nga pushtuesi.

Ti miku im hezitove të ishe solidar me mua kur kryeministri i vendit më linçoi publikisht, më nxori në rrugë, vetëm sepse kërkova të shpëtoheshin më shumë jetë shqiptarësh, ti hezitove të ishe solidar me bashkëqytetarët e tu, kur tentakulat e rregjimit ju shkulën brinjet atyre, ndaj dhe sot i dashur mik je vetëm!

Më e pafalshmja, kur Artan Lame të paralajmëroi për shembjen e shtëpisë, disa ditë para 25 prillit, ti e shpërbleve duke i dhënë voten, që t’ja mundësojë mënxyrën ndaj vetes!

Arrin ta mendosh se nëqoftëde do ishim të gjithë bashkë, NE POPULLI, nuk do t’i kishim lejuar këmishëzinjtë të preknin Teatrin, shtëpitë e Astirit, Shkozës nuk do kishin shanc të preknin shtëpinë tënde??

Tani pse qan????